“Dosja me 1001 të zeza”, Ahmetaj i përgjigjet Ramës: Shkeli prezumimin e pafajësisë, standard të dyfishtë brenda të njëjtit fjalim

Nga A2 CNN
11 Mars 2026, 10:22 | Politikë

“Dosja me 1001 të zeza”, Ahmetaj i përgjigjet Ramës:

Një ditë pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist, në lidhje me qëdrimin e socialsitëve ndaj Belinda Ballukut, ka ardhur edhe reagimi i ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Në një postim në rrjetet sociale, Ahmetaj i referohet deklaratave të kryeministrit Edi Rama në grup në lidhje me rastin e tij, duke pretenduar se aty kishte “1001 të zeza”. Sipas Ahmetajt kjo deklaratë bëhet në një kohë kur çështja ende nuk ka filluar të gjykohet dhe hetimet sapo janë mbyllur, duke shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë.

“Paraditen e të hënës në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri, në përpjekje për të justifikuar qëndrimet e tij, gjeti kohë të flasë edhe për rastin tim, duke pretenduar se aty paskësh “1001 të zeza”. Kjo deklaratë bëhet në një kohë kur çështja ende nuk ka filluar të gjykohet dhe hetimet sapo janë mbyllur.  Një deklarate e tillë publike dhe për një çështje që i takon drejtësisë, përbën pikërisht shkeljen e hapur të parimit themelor të prezumimit të pafajësisë.  

Është paradoksale të dëgjosh leksione për prezumimin e pafajësisë nga i njëjti Kryeministër, i cili nuk heziton ta shkelë atë publikisht sa herë që i intereson politikisht, duke e përdorur atë me standard të dyfishtë edhe brenda të njëjtit fjalim.

Prezumimi i pafajësisë është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nga kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nga legjislacioni në fuqi.

E drejta e lirisë së shprehjes për këdo, përfshirë këtu edhe Kryeministrin, nuk mund të përdoret për të cenuar prezumimin e pafajësisë dhe as për të ushtruar presion apo ndikim mbi vendimmarrjen e organeve të drejtësisë”, shkruan Ahmetaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos