
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimeve të karburanteve në vend. Përmes një videoje në rrjetet sociale deputetja demokrate thekson se pikat e karburantit kanë rritur çmimet në mënyrë të menjëhershme dhe në nivele të larta, edhe pse në bursat ndërkombëtare nuk ka pasur ende një rritje të tillë që ta justifikojë këtë reagim në treg.
Duke e cilësuar situatën si rezultat të një sistemi të korruptuar ekonomik që dëmton qytetarët shqiptarë, ajo theksoi se depozitat e karburantit janë të mbushura dhe se rritja e çmimeve në këto kushte ngre dyshime serioze për spekulim në treg.
“Rritja e çmimeve pa u reflektuar ende në bursat ndërkombëtare dhe me depozitat e mbushura është në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptarë. Ky është rezultat i një sistemi të korruptuar ekonomik që ka kapur çdo hallkë të tregut, nga pikat e karburantit deri tek çmimet që paguajnë çdo ditë qytetarët,” u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate kritikoi gjithashtu rolin e institucioneve përgjegjëse, duke u shprehur se Autoriteti i Konkurrencës dhe qeveria po sillen sikur po kontrollojnë situatën, ndërkohë që në realitet nuk po ndërmarrin asnjë veprim konkret për të mbrojtur konsumatorët.
Tabaku nënvizoi se, ndryshe nga Shqipëria, vendet e rajonit kanë ndërmarrë masa për të përballuar rritjen e çmimeve, ndërsa në vend qytetarëve u ofrohet vetëm propagandë.
(A2 Televizion)