Adriatik Lapaj nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ishte i ftuar këtë të enjte në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN. Ndër të tjera, ai u pyet edhe pse është një nga personazhet që po sulmohet më shumë gjatë kohëve të fundit.
Lapaj u shpreh se me mijëra patronazhistë paguhen nga taksat e qytetarëve, ndërsa sipas tij, po tentohet të eliminohet çdo alternativë e mundshme që në hapat e para të saj.
“Unë nuk mund të rri të merrem me këta që paguhen për të bërë këtë punë. Shteti shqiptar ka mijëra patronazhistë dhe kjo është fakt. Ata paguhen për këtë punë, ndërsa unë nuk paguaj dot ata dy tre djem e vajza që të mbajnë ato zyrat. Ne jemi me sakrificë. Këta nuk ia rrisin rrogat zyrtarëve, nuk rrisin pensionet dhe paguajnë me tasat tona patronazhistët, u shpreh Lapaj në A2.
Këta kanë ndjekur një parim dhe nuk iu ka dalë keq. Kosite barin sa më hollë, mos lërë asnjë filiz të rritet lartë, se ku i dihet mund të bëhet lis, e na bën hije. Personalisht me mua nuk ka për t’iu shkuar, pasi nuk jam produkt i studiove apo i këtyre. Unë jam produkt i rrugëve, i protestave dhe punoj nga 12 orë në ditë me njerëzit në terren. As nuk ka funksionuar e as do t’iu funksionojë. Problem këtu nuk është Adriatiku. Problemi këtu nuk është një njeri. Shoqëria është në një rreth vicioz, është e marrë peng dhe për të dalë nga pengmarrja, shoqëria duhet të gjejë forcën për ta bërë këtë gjë”, tha Adriatik Lapaj. (A2 Televizion)