“Aksioni vazhdon”, Bardhi: Ridërgojmë emrat për anëtarët e “zgjedhores”

Nga Anesti Barjamemaj
24 Janar 2024, 18:19 | Politikë

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të ridërgojë në Kuvend emrat e anëtarëve të opozitës për Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Kreu i grupit, Gazment Bardhi, pas takimit të përjavshëm me deputetët, deklaroi se ky vendim erdhi pas thirrjes së përsëritur nga OSBE/ODIHR për një reformë gjithëpërfshirëse. 

Bardhi konfirmoi gatishmërinë për t’i lënë grupimit të Bashës një anëtar të komisionit, nëse do të kërkojnë, në raport me përfaqësimin e tyre në sallën e Parlamentit. 

Kjo kërkesë e deputetëve që mbështesin Bardhin dhe Berishën, duket se do të jetë edhe një test për maxhorancën, për të treguar vullnetin e normalizimit të jetës parlamentare. Nëse nuk shihet reflektim nga PS, aksioni i opozitës do të vijojë jo vetëm në Parlament. 

Deputeti Flamur Noka tha: “U trajtuan dhe diskutuan format se si ne duhet ta përshkallëzojmë këtë aksion, se si mosbindja civile duhet të përkthehet në një aksion më të gjerë në terren dhe të mos mbetet vetëm në Parlament”.

Pavarësisht se brenda grupit të PD kanë nisur të shfaqen qëndrime për një qasje të re lidhur me aksionin parlamentar, Flamur Noka deklaroi se vendimi është marrë unanimisht: “Absolutisht asnjë zë kundër nuk është”. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos