Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, i kërkoi opozitës të ndryshojë qasje në lidhje me sjelljen e dhunshme dhe sherret që shkakton në sallën e Parlamentit. Në një intervistë për “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, Spahiu tha se socialistët do të përpiqen të ndryshojnë gjërat.
“Ai momenti i aktrimit dhe i tërheqjes së vëmendjes të forcës tënde politike, se është protesta e datës 10, që “hajde, do të ndezim protestën” me një debat që nuk ka lidhje fare me rendin e ditës, që nuk ka lidhje fare me politikën aktuale, po ka lidhje me agjendën tënde politike, ajo mënyrë duhet të largohet nga Parlamenti. Pra, duhet qasja të jetë tjetër”, u shpreh ajo.
“A do ta arrijmë? Unë këtë nuk ta them dot sot, por do përpiqemi ne. Domethënë do përpiqemi gradualisht duke i qëndruar strikt rregullores që të mundohen edhe kolegët që agjendën e tyre politike, ta bëjnë nga selia. Pra ka mënyra të ndryshme”. Sa i përket pretendimeve se opozitës i hiqet e drejta e fjalës, Spahiu tha se opozita ka folur shumë më tepër dhe kjo konfirmohet nga minutazhi i zbardhur i sesionit të parë. (A2 Televizion)