
Qeveria miratoi sot Amnistinë Penale pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, duke e depozituar projektligjin në Kuvend për shqyrtim. Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, bëri të ditur se nga kjo nismë përfitojnë drejtpërdrejt qindra të dënuar: 447 persona do të lirohen menjëherë nga burgu, ndërsa 853 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi, shkruan A2 CNN. Mes përfituesve ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj.
Amnistohen gjithashtu 5077 të dënuar me masa alternative, ndërsa pushohet ndjekja penale për rreth 14 mijë procedime për vepra të lehta.
Lamallari theksoi se amnistia është një akt human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe riintegrim, si dhe një hap konkret për uljen e mbipopullimit në burgje dhe fokusimin e drejtësisë aty ku rreziku shoqëror është real. Ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Europës, për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit.
Ministri i bëri thirrje Parlamentit ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa, në mënyrë që efektet pozitive të ndihen sa më shpejt nga mijëra familje shqiptare. Nga kjo amnisti përjashtohen subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. (A2 Televizion)