Alibeaj: Rama dhe Berisha kanë bërë marrëveshje për territorialen

Nga A2 CNN
9 Prill 2026, 20:33 | Politikë

Politikani Enkelejd Alibeaj deklaroi se Reforma Territoriale në Shqipëri po trajtohet si një proces i paracaktuar dhe pa transparencë, duke akuzuar Ramën dhe Berishën për një marrëveshje të fshehtë. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Alibeaj e cilësoi procesin si një “teatër të pështirë”, që sipas tij ka zgjatur për muaj të tërë. Alibeaj theksoi se nuk kemi të bëjmë realisht me një reformë, por një dakordësi PS-PD për të bërë një hartë dhe për të vizatuar në të ca viza. 

“Për 6 muaj është thjesht teatër i pështirë ku pushteti, ndoshta edhe opozita, kanë rënë dakord që te harta thjesht të bëjnë ca viza. Nga 61 në 36, se kanë gjithmonë këta dëshirën për ta kthyer në rrethet e sistemit komunist, në mos më pak. Pa kuptuar se nuk është çështje numrash, është çështje çfarë kompetencash do t’u japësh atyre përfaqësuese të bashkisë, edhe të partisë tënde që nesër pasnesër ata ta dine që pushtetin e kanë jo prej kryeministrit, që i thërret sa here të dojë, u bën rreshtore, dhe i shkarkon, por ta dine që e kanë prej atyre njerëzve atje, dhe kur të vijë përplasja mes kryeministrit dhe publikun, ata të rebelohen dhe t’ia bëjnë hyzmetin njerëzve dhe të dalin kundër kryeministrit. Ky do ishte synimi më i mire dhe I dëshirueshëm. Si mund të arrihet? Proces i gjatë, transparencë, ekspertizë dhe eksperiencë nga Perëndimi”, u shpreh Alibeaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos