Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, u bëri thirrje publike socialistëve që në mbledhjen e së enjtes të strukturave drejtuese të Partisë Socialiste për çwshtjen “Balluku” të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. I ftuar në emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli, Malaj deklaroi se kjo është një mundësi e artë për socialistët që, sipas tij, vendosin Shqipërinë mbi interesat partiake.
Ai tha se mbledhja e nesërme mund të shërbejë si një moment reflektimi, duke e krahasuar me periudhën e vitit 2005, kur Partia Socialiste përjetoi ndryshime të rëndësishme të brendshme. Sipas Malajt, zhvillimet e fundit politike dhe mesazhet nga institucionet ndërkombëtare financiare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian tregojnë qartë se çdo cenim apo pengim i drejtësisë është i papranueshëm dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në procesin e integrimit europian të vendit, shkruan A2 CNN.
Në analizën e tij, Malaj paralajmëroi se një vendimmarrje për të mos ndryshuar situatën politike mund të krijojë pengesa serioze në negociatat me BE-në, duke e cilësuar situatën si “shembje të urës së integrimit”. Ai shtoi se brenda grupit parlamentar socialist mund të ekzistojë një pakicë deputetësh që kanë mundësi të ndikojnë në vendimmarrje, veçanërisht në çështje që lidhen me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe Kushtetutë.
I pyetur për emra konkretë, Malaj tha se nuk dëshiron t’u marrë iniciativën individëve që mund të ndërmarrin hapa të tillë, por shprehu besimin se disa prej tyre mund t’i përgjigjen ndërgjegjes dhe përgjegjësisë ndaj vendit. (A2 Televizion)