"Rama s'ka thënë njëherë 'më fal'", Malaj-Kryeministrit: Mos u përplas me drejtësinë

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2025, 21:54 | Politikë

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si po ushtron lidershipin në prag të një mandati të katërt, duke theksuar mungesën e vetëkritikës dhe përplasjen e panevojshme me sistemin e drejtësisë.

I ftuar në një emision “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, Malaj u ndal te konferenca maratonë e Ramës në fund të vitit, duke thënë se ajo që e ka habitur më shumë është fakti se kryeministri “nuk e ka thënë asnjëherë fjalën ‘më fal’”. Sipas tij, Rama nuk ka pranuar kurrë publikisht se diçka nuk është bërë mirë, por për çdo problem ka gjetur një justifikim.

Malaj theksoi se kryeministri nuk duhet të hapë debate publike me gjyqësorin, pasi ky i fundit vepron mbi bazën e një kuadri ligjor që është miratuar nga Parlamenti. “Nëse ka shqetësime reale, siç është ai për prezumimin e pafajësisë dhe numrin e lartë të personave në paraburgim, këto zgjidhen me ndryshime ligjore, jo me përplasje të përditshme me drejtësinë,” u shpreh ai.

Sipas ish-ministrit, në një demokraci funksionale pushtetet janë të ndara dhe funksionojnë mbi bazën e balancës dhe kontrollit. Qeveria, tha Malaj, duhet të mbajë përgjegjësi për reformat që premton dhe t’i realizojë ato përmes ligjit, jo përmes presionit publik ndaj institucioneve të pavarura.

Duke folur për reformën në drejtësi, Malaj theksoi se ajo nuk ishte vetëm produkt i vullnetit të një force politike, por rezultat i një konsensusi të detyruar dhe i ndikimit të fortë të partnerëve strategjikë të Shqipërisë, SHBA-së dhe Bashkimit Europian.

Në pjesën ekonomike, Malaj paralajmëroi se rritja ekonomike e Shqipërisë është e brishtë, pasi mbështetet kryesisht te ndërtimi dhe turizmi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos