Gazetari Ronald Qafoku tha se marrëdhëniet mes Kryeministrit Edi Rama dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në pikën më të ulët ndonjëherë, diçka që e shqetëson.
“Zoti Rama nuk shqetësohet as nga Adriatik Lapaj, as nga Sali Berisha, as nga asnjë lloj lëvizje opozitare. Besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pika më delikate dhe më e brishtë për zotin Rama. Dy vite e gjysmë pa ambasador në Tiranë nuk ka ndodhur në historinë e Shqipërisë”, tha Qafoku në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
“Sot kishte njoftim të ambasadës amerikane, një agjent i BKH-së, një agjent, jo drejtuesi, jo një oficer, është takuar me shefin e FBI-së. Në gjuhën diplomatike janë domethënë mesazhe që “ne mbështesim SPAK-un”. Zoti Rama ka një ndryshim në fjalën e tij, nga fjalimi në 11 shtator kur tha “ne do jemi në pushtet këtu në 2030-n, 2040-n, 2050-n”, sot tha “nuk jap dorëheqjen”. Por Rama tregoi sot edhe që nuk pranon fajin. Domethënë faji për Ramën është gjithmonë tek të tjerët. Domethënë nuk ka thënë asnjëherë që po këtu jam gabim unë dhe për këtë mbaj përgjegjësi”. (A2 Televizion)