
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i kërkoi edhe një herë dorëheqjen Kryeministrit Edi Rama. Duke e lidhur Ramën me arrestimin e ekstradimin e Nicolas Maduros nga Venezuela në SHBA, Berisha tha se po përfundon koha e diktatorëve.
“Edi Rama duhet të japë dorëheqjen menjëherë. Koha e narko-diktatorëve po perëndon me shpejtësi. Ajo që forcat Delta realizuan në një operacion të përsosur, të paparë ndonjëherë në histori, për mënyrën perfekte të realizimit kundër një narko-diktatori të urryer të popullit të Venezuelës, ka zgjuar popujt në të gjitha vendet e tjera që të ngrenë krye kundër diktatorëve të tyre”, tha Berisha në një konferencë për mediat, përcjell A2.
“Kam besim se shqiptarët, të cilët e kanë pritur siç keni parë ju, me interesin më të madh arrestimin në dhomën e tij të gjumit të narko-diktatorit të Venezuelës dhe paraqitjen e tij në sallën e gjyqit në Nju Jork, presin me padurim për t’u përballur me diktatorët e tyre dhe narko-diktatorin e tyre në rastin e tyre në Shqipëri, dhe për t’i dhënë atij ndëshkimin dhe vendin që meriton. PD dhe opozita shqiptare është e vendosur të organizojë të gjitha demonstratat, protestat, revoltat në mënyrë që të çlirojë vendin nga ky narko-diktator, i parë dhe i vetëm në Europë”. (A2 Televizion)