Asambleja e PS, agjenda nga fjalimi i Ramës te raportimi i drejtuesve politikë

Nga Fjorela Beleshi
20 Mars 2026, 14:38 | Politikë

Asambleja e PS, agjenda nga fjalimi i Ramës te raportimi i drejtuesve

Të shtunën, Kryeministri Rama mbledh Asamblenë e Partisë Socialiste në Durrës. Pas ndryshimeve në qeveri, duket që tashmë e kanë radhë strukturat e kësaj partie për të marrë udhëzimet dhe direktivat e reja nga kryetari i tyre.

Sipas burimeve të A2CNN, mbledhja nis në orën 10:00, ku fjala hapëse e kryesocialistit Rama është parashikuar të jetë publike dhe më pas për të vijuar me dyer të mbyllura, deri në orën 15:00.

Burime brenda PS bëjnë me dije se në axhendën e këtij takimi do të raportohet nga çdo drejtues qarku për zonën e tyre për sa i përket performancës zgjedhore. 2026 është një vit ku partia i nënshtrohet rinovimit të drejtuesve në nivel lokal, për këtë arsye pritet të miratohet kalendari dhe udhëzimet e zgjedhjeve të brendshme.

Pas rezultatit të parlamentareve të vitit të shkuar, socialistët po e shohin diasporën me prioritet, për të cilët do të ketë një diskutim edhe në Asamble për riorganizimin e partisë në disa shtete kryesore. Përpos organizimit të brendshëm, të shtunën në Durrës PS do të ndezë zyrtarisht motorët për zgjedhjet e ardhshme lokale të 2027.

Ashtu si ndryshimet në qeveri, edhe ato në parti janë vendime që i merr Kryeministri Rama, pavarësisht se këto të fundit kërkojnë edhe një votim formal nga forumet. Pas anëtarëve të kabinetit, tani ethet e ndryshimeve u takon t’i mbajnë socialistët që kanë funksione në parti. Në Asamble ata do të mësojnë nëse do të vijojnë të drejtojnë të njëjtat qarqe, përveç Belinda Ballukut, që është konfirmuar nga Rama disa ditë më parë.

Në mesin e dhjetorit, Rama njoftoi ngritjen e një grupi pune partiak të kryesuar nga Lindita Nikolla për të “pastruar” nepotizmin në administratën publike dhe jo vetëm. Deri më tani nuk ka asnjë rezultat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos