Peleshi takon Presidenten e Bundestagut, në fokus anëtarësimi në BE dhe bashkëpunimi dypalësh

Nga A2 CNN
20 Mars 2026, 13:57 | Politikë

Peleshi takon Presidenten e Bundestagut, në fokus anëtarësimi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjermani, ku u prit nga Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner.

Vizita u përqendrua në thellimin e bashkëpunimit parlamentar dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe mbështetjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Peleshi shprehu mirënjohjen për rolin kyç të Gjermanisë në mbështetjen e reformave, veçanërisht në fushat e drejtësisë, demokracisë dhe legjislacionit zgjedhor. 

Gjatë takimit u nënvizua mbështetja e Gjermanisë si një faktor vendimtar për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Gjithashtu u theksua nevoja për një proces zgjerimi të bazuar në merita dhe për vazhdimin e reformave të thella në vend. 

Kryetari i Kuvendit shoqërohet në këtë vizitë zyrtare në Gjermani nga delegacioni i Kuvendit, i përbërë nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS dhe Kryetar i Grupit të Miqësisë Taulant Balla, deputetët Iris Luarasi, Erion Malaj, Edmond Haxhinasto, Redi Muçi dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos