Endrit Shabani zgjidhet Avokat i Popullit

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2025, 22:46 | Politikë

Endrit Shabani zgjidhet Avokat i Popullit

Me 85 vota pro, Endrit Shabani u zgjodh Avokat i Popullit. Votimi në Parlament u krye mbrëmjen e së enjtes.

Opozita u largua nga salla në momentin e votimit, për t'u kthyer pasi ai përfundoi.

Debati për Avokatin e Popullit përpiu seancën plenare të kësaj të enjteje. Kalimi i kandidaturave për votim, në një kohë që opozita kishte tërhequr firmat mbështetëse, u bë shkak që demokratët të nisnin akuzat për një proces të paracaktuar.

Si për të përforcuar argumentin e tyre, demokratët risollën në sallë një procesverbal të vitit 2022, kohë në  të cilën socialistët kishin tërhequr firmat mbështetëse për një ish-kandidat për Avokat Populli.

Argumenti më i fortë i socialistëve për të vijuar votimin ishte se kandidaturat e përcjella në parlament kishin firmat e demokratëve, përfshirë Endrit Shabanin, njeriun për të cilin u bë i gjithë debati. Demokratët për ditë me radhe u munduan të bindnin opinionin se nuk i kishin dhënë firmat ish-kryetarit të Nismës Thurje, por Sali Berisha e kuptoi se justifikimi nuk po ngjiste, ndaj doli të jepte një tjetër shpjegim. 

Por ajo që habiti në qëndrimin e Berishës, ishte fakti se pavarësisht se e konsideron procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit një farsë, nuk do ta kundërshtojë atë në Kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos