
Institucionet europiane vlerësojnë progresin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit. Kështu është shprehur kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Bruksel.
Sipas Ballës, si Parlamenti Europian, ashtu edhe Komisioni Europian dhe vendet anëtare, konfirmojnë se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në avancimin e negociatave, duke përmbushur detyrimet e marra në bashkëpunim me Komisionin Europian.
“Institucionet europiane, Parlamenti, Komisioni edhe vendet anëtare konfirmojnë se Shqipëria ka bërë dhe po bën një përparim të dukshëm në avancimin e negociatave, duke vijuar përmbushjen e detyrimeve që kemi marrë bashkërisht me Komisionin Europian,” u shpreh Balla.
Balla theksoi se vendi ynë nuk ka qenë kurrë më afër realizimit të aspiratës për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke nënvizuar edhe klimën pozitive që, sipas tij, mbizotëron aktualisht në Bruksel.
“Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore. Këtu në Bruksel ka një atmosferë shumë pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër dhe do të bëjmë gjithçka për të përmbushur detyrimet tona sipas afateve të dakordësuara me Komisionin Europian,” tha Balla.
Balla ka theksuar se përpjekjet për të penguar procesin e negociatave nuk do të kenë sukses, duke theksuar vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar përpara në rrugën e saj europiane. (A2 Televizion)