
Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama është takuar në Athinë me kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka theksuar marrëdhënien e ngushtë mes dy vendeve dhe bashkëpunimin personal me homologun grek.
Kryeministri thekson se po punohet për zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të mbetura mes dy shteteve, me synimin për të arritur brenda këtij viti një marrëveshje të re për partneritet strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Sipas tij, komunikimi mes tyre ka qenë gjithmonë i hapur dhe me respekt, edhe në momentet më të vështira.
“Athinë - Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik”, shkruan Rama.
Vizita e kreut të qeverisë shqiptare në Athinë, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Delphi-t, vjen pas asaj të zhvilluar në Romë dhe Barcelonë.
Në Forum pritet nënshkrimi i një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet Korporatës Shqiptare të Investimeve dhe Hellenic Corporation of Assets and Participations S.A., duke synuar rritjen e bashkëpunimit në fushën e investimeve mes dy vendeve. (A2 Televizion)