
Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla theksoi edhe një herë sot nga Kuvendi nevojën për ndryshime në Kodin Penal, një ditë pas ngjarjes tragjike në Durrës, ku dy fëmijë u përplasën për vdekje me makinë nga një shofer i dehur.
Balla solli në vëmendje se në vende si SHBA, apo edhe Gjermania, ekziston në legjislacion koncepti i “vrasjes në kushtet e vetëbesimit të tepruar”, që mund të diskutohet edhe në Shqipëri.
Po ashtu Balla iu drejtua Policisë së Shtetit, duke theksuar se “të fortët e lagjeve” duhen bërë shembull, dhe nuk kanë pse të kenë patentë, raporton A2CNN.
“Duke e mbështetur nevojën për të reflektuar të gjithë, pa asnjë dallim, socialistë, demokratikë, të majtë, të djathtë. Shembulli që tha Braçe është kuptimplotë, nëse ne si Kuvend do mjaftohemi vetëm me heqjen e pikëve në patentë, kjo është e rëndë për ne. Gjykata e Lartë e SHBA-ve ka vendosur konceptin e vrasjes në kushtet e vetbësimit të tepëruar. Por z.Manja më shpjegoi edhe raste të tjera në Gjermani dhe vende të tjera. Kështu që mendoj kolegë përgjigjia jonë duhet të jetë e mënjëhershme sapo të kemi mundësi të ndryshojmë Kodin. Të fortët e lagjeve duhen bërë shembull të gjithë, duhen kontrolluar mëngjes, drekë, darkë, dhe s’kanë pse të kenë fare patentë. Të fortët e lagjeve duhen bërë shembull nga Policia e Shtetit në komunitet”, tha Balla. (A2 Televizion)