Balliu: BE i bëri presion Ramës që të pranojë projekt-rezolutën tonë

Nga A2 CNN
14 Maj 2026, 20:31 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, deklaroi se mazhoranca e pranoi projekt-rezolutën e opozitës për integrimin pasi “presioni i Komisionit Europian e ka detyruar që ta pranojë”.

“Raporti ishte propagandë e radhës dhe për këtë arsye ne propozuam që të kishte një projekt-rezolutë, ku të merreshin parasysh edhe argumentet e opozitës. Të jemi të sinqertë, nuk prisnim që mazhoranca do ta mbështeste, por qartazi presioni i Komisionit Europian i ka detyruar që të pranojnë 90% të propozimeve”, tha Balliu në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Deputeti demokrat shtoi se falë propozimeve të opozitës, “aty sot keni edhe problemet me demokracinë e brendshme në Shqipëri, problemet e zgjedhjeve apo raportin e OSBE/ODIHR-it”.

“Pjesë e raportit është edhe çështja e AKSHI-t dhe mungesa e sigurisë kombëtare në Shqipëri. Të gjitha këto u futën në projekt-rezolutë dhe qeveria, nga presioni ndërkombëtar, është detyruar t’i pranojë. Mos të harrojmë që 4-5 ditë më parë, 9 vende të BE-së kanë ngritur sërish pyetje në lidhje me drejtësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar, prandaj u shty raporti i IBAR-it. Problemi nuk janë anëtarët e BE-së, por është Edi Rama”, shtoi Balliu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos