
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar në Kuvend se procesi i zgjerimit të BE mbetet një prioritet i pandryshuar i vetë Brukselit dhe se marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët europianë janë në nivelin më të ngushtë dhe më përmbajtësor të mundshëm.
Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se procesi i negociatave për anëtarësim bazohet ekskluzivisht në meritë dhe në rezultate konkrete të reformave, të cilat sipas tij janë kriteri i vetëm i vlerësimit nga Bashkimi Europian, shkruan A2CNN.
“Qëndrimi i BE-së ndaj zgjerimit nuk ka ndryshuar, ai mbetet një nga prioritetet e BE-së. Konstatimi i dytë është se marrëdhëniet tona me BE dhe vendet anëtare nuk kanë qenë asnjëherë më të ngushta, më konkrete, më përmbajtësore dhe më premtuese se sa sot. Në bazë të kësaj marrëdhënie, natyrshëm qëndron procesi i negocimit për anëtarësimin, një proces i bazuar në meritë, ku reformat reale dhe rezultatet konkrete, mbeten kriteri i vetëm i vlerësimit nga BE. Konstatimi i tretë ka të bëjë me progresin domethënës që ka bërë Shqipëria, falë punës së administratës publike, angazhimit të ekipit negociator, vullnetit politik të përgjithshëm në këtë vend dhe mbështetjes së partnerëve europianë, vendi ka avancuar me një ritëm të përshpejtuar, të pazakontë dhe absolutisht të vlerësuar”, tha Hoxha.
(A2 Televizion)