Prishtina: Ahmet Zogu kishte kontakte me sovjetikët. Celula e parë komuniste në Shqipëri, me bekimin e tij

Nga A2 CNN
14 Maj 2026, 19:23 | Politikë

Mehmet Prishtina, nipi i patriotit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Hasan Prishtina, ka sjellë një botim me titullin “Lëvizja revolucionare kombëtare shqiptare dhe maqedonase në rrjetën e diplomacisë sovjetike 1922-1928”, ku tregon lidhjen e Ahmet Zogut me sovjetikët dhe bekimin nga ana e tij të celulës komuniste.

Në studion e “Ditarit të Pasdites” nga Pandi Gjata, në A2CNN, Mehmet Prishtina deklaroi: “Ndikimi i diplomacisë sovjetike në vitin 1922, gjatë hulumtimit tim shkencor nëpër dokumentet arkivore të Kominternit, të shërbimeve të tjera sekrete të Bashkimit Sovjetik, u gjend edhe një dosje ku e pamë fillin e krijimit apo komunikimit diplomatik dhe gatishmërisë së Ahmet Zogut, të Shefqet Korçës, të Sefi Vlamasit, ambasador i kohës ishte Kostantin Boshnjaku, i cili në atë kohë përfaqësonte Shqipërinë në Konstantinopojë, Bullgari, Rumani, por fliste mirë edhe rusisht, dhe dokumentet tregojnë se ai iu drejtua në atë kohë drejtpërdrejt Leninit me ofertën që të futen marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik dhe ruheshin koncesione të cilat janë pritur mbi një vit, rezervoheshin të drejtat e fushave të naftës, koncesione të tjera për Rusinë, mirëpo ajo nuk ndodhi. Por, janë dokumente në dosjen 54, të detajuara. Përveç letrës, komunikimeve, thuhet se është themeluar me vetëdeklarim, me shkrim, celula e parë e Partisë Komuniste nga vetë grupi i ngushtë për të cilin po flasim. Ahmet Zogu ka qenë protagonist, kështu thonë dokumentet. Më vonë është interesante sepse nga një përkrahës i një ideologjie komuniste, më vonë ne kemi një politikan, një burrështetas dhe një mbret të Shqipërisë”.

Mehmet Prishtina më tej foli edhe për përpjekjet e Fan Nolit për të pasur marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik, përpjekje të cilat e shndërruan, sipas tij, në “kufomë politike”.

“Më vonë, në vitin 1924 vlen theksohet se përpjekja e Fan Nolit për t'u futur në marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik, komunikimi me qendrën e Vjenës, por edhe të Romës, që janë stërzgjatur dhe s'kanë qenë të koordinuar, sepse dhe përfaqësuesit sovjetikë nuk ishin të një mendje, dokumentet shpesh mbaheshin nëpër sirtarë dhe nuk dërgoheshin në qendrën në Moskë ku merreshin vendimet. Kështu që, është një udhëheqës strateg i diplomacisë ilegale me emrin Gendler, i cili përshkruan se pikërisht diplomacia ilegale sovjetike e shndërron Nolin në një kufomë politike”, u shpreh Mehmet Prishtina. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos