Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka akuzuar qeverinë për lidhje me krimin e organizuar, duke pretenduar se infiltrimi i krimit në politikë dhe institucione shkon deri në nivelet më të larta të qeverisjes.
Duke folur për situatën e kriminalitetit në vend, Balliu tha se problemi nuk lidhet me mungesën e informacionit nga ana e Policisë së Shtetit, por me, siç pretendoi ai, mungesën e vullnetit për të vepruar ndaj personave të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale.
“Problemi s’është te modernizimi apo te informacioni. Policia e ka të gjithë informacionin e nevojshëm për të arrestuar Suel Çelën. Kur e dinim ne që ai po drekonte me Agasin në Elbasan, nuk ka përse mos ta dinte policia. Problemi është që është ngritur një sistem, ku ka lidhje direkte të qeverisë me krimin e organizuar”, tha Balliu në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN.
“Inkriminimi i shtetit ka kapur nivelet më të larta. Që në momentin që unë flas për drejtorin e përgjithshëm të Policisë, në momentin që unë flas për ministrin e Brendshëm…Keni rastin e Saimir Tahirit. Janë 10 ministra të Brendshëm që janë ndërruar. Infiltrimi i krimit në politikën dhe qeverinë e Edi Ramës shkon në nivelet më të larta, sepse shkon deri te Edi Rama. A nuk është e vërtet që Rama ka bërë investitorë strategjikë njerëz që sot janë në burg?! Nuk ka vullnet për të luftuar krimin, këtu ka interes për të bashkëpunuar me krimin, sepse aty dalin interesa monetare dhe elektorale”, shtoi deputeti demokrat. (A2 Televizion)