Ish-gjyqtari Shkëlqim Mustafa ka ngritur shqetësimin për mungesën e infrastrukturës dhe logjistikës së nevojshme për përballimin e kriminalitetit në Shqipëri.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Mustafa theksoi se krimi ndryshon dhe sofistikohet me shpejtësi, ndaj edhe institucionet duhet t’i përgjigjen me një strategji të qartë, investime në personel, kualifikim profesional dhe logjistikën e nevojshme.
Ai rrëfeu se gjatë kohës që ushtronte detyrën, mungonin edhe mjetet bazë për përgjimet ambientale, duke theksuar se pa një vizion të mirëfilltë dhe investime serioze, institucionet e kanë të vështirë të përballen me dinamikën e re të kriminalitetit.
“‘Zbarkimi’ i FBI-së është një seminar, një vlerësim për BKH-në dhe SPAK-un, që është një krijesë pothuajse e tyre, dhe e vetmja meritë që kanë, është që kanë fituar besueshmëri nga agjencitë më të larta ligjzbatuese ndërkombëtare. Kriminaliteti në Shqipëri është luftuar edhe më përpara me metoda terreni, informatorë, dhe ka qenë goxha e suksesshme deri vonë.
Krimi vjen menjëherë me formën e sofistikuar dhe duhet t’i përgjigjesh me sa ke mundësi. U krijuan drejtoritë, kur ndoshta mund të ishte më mirë të bëhej një investim i tillë, zvogëlo zonat dhe shto burimet e informacionit, mbulimin e terrenit, flas për krimin kundër personit. Po të shtoheshin oficierët, agjentët, të investohej në logjistikë...Mund të krijoheshin struktura të specializuara në rang rajoni. Investimi mund të bëhej në specializimin e personelit, në sigurimin e logjistikës që ishte drejt zeros.
Ne ishim prokurorë, mezi gjeje një mjet për përgjim ambiental në një komisariat, që ishte struktura më e madhe e rrethit. Pa një vizion dhe strategji të mirëfilltë...Aftësia shtetformuese këtu e bën diferencën dhe këtu është diferenca mes kombeve, që ne të kemi një strategji të saktë, gjithnjë duke investuar me seriozitet në personel, kualifikimin profesional të tyre, logjistikën e re që nevojitet për krimin dhe në integritetin e personave”. (A2 Televizion)