Ish-ministri i Rendit, Bajram Yzeiraj, ka ngritur shqetësimin për rritjen e kriminalitetit në vend dhe mënyrën se si institucionet po përballen me dinamikën e re të krimit.
Duke iu referuar raportit të Prokurorit të Përgjithshëm në Kuvend, Yzeiraj tha se procedimet penale janë rritur me 5.3% krahasuar me një vit më parë. Sipas tij, nëse policia, prokuroria apo gjykata nuk reagojnë në kohë dhe me efikasitet, krimi përfiton avantazh dhe mund të sjellë përshkallëzim të mëtejshëm të konflikteve.
Duke marrë si shembull vrasjen e fundit të ndodhur në Sarandë, ish-ministri theksoi në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN nevojën për një mënyrë të re menaxhimi të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë.
“Po t’i kthehemi raportit të prokurorit të përgjithshëm në Kuvend, aty rezulton që kriminaliteti është në rritje. Do të thotë, ata raportuan me rritje të procedimeve penale 5,3 për qind, në raport me vitin e mëparshëm. Nuk shikoj sofistikim të krimit, doemos kanë më shumë burim të ardhurash.
Krimi e ngre kokën, e nuhat situatën, mënyrën e reagimit të policisë, prokurorisë, gjykatës, e kështu me radhë. Nëse një nga këto institucione nuk realizon mirë punën e vet, e vonon...po marr rastin e Sarandës, nëse do ishin të shpejtë prokuroria dhe gjykata në hetimin dhe gjykimin e ngjarjeve të mëparshme. Kur shikon që shteti nuk reagon....ka pasur ngjarje të tjera në Sarandë, ku janë zhdukur njerëz.
Organet duhet të ecin me hapin e kohës, nëse janë të ngadalta, jo efiçente, e merr avantazhin krimi. Unë mendoj që duhen shkundur institucionet, kërkohet mënyrë menaxhimi e re, për t’iu përgjigjur tempit dhe dinamikës së re që ka kriminaliteti. Nuk mundesh nëse një plagosje apo vrasje të ndodh në një qytet, s’e zbulon, apo e ke zbuluar autorin dhe ke vështirësi në prova, shkon 3-4 muaj, kjo të sjell një ngjarje tjetër, një hakmarrje më pas”. (A2 Televizion)