
Teuta fitoi 3-2 në transfertë ndaj Vorës në javën e 13-të të Kategorisë Superiore. Të gjendur në disavantazh që në minutën e tretë, “Djemtë e Detit” përmbysën ndeshjen me golat e Pedro Martelos, Kallakut dhe Boçit.
Me këtë fitore, skuadra e Edlir Tetovës ngjitet në kuotën e 26 pikëve dhe vijon ndjekjen ndaj vendit të parë. Vora kaloi në avantazh me Dimitar Trajkovin, i cili shfrytëzoi një harkim të Zunës për të dërguar topin në rrjetë. Përgjigjja e Teutës erdhi në minutën e 37-të. Pas një goditjeje nga këndi, Jazxhi goditi shtyllën me kokë. Përgjoni ndoqi aksionin dhe shërbeu për Martelon, që barazoi shifrat në 1-1, shkruan A2.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë. Në pjesën e dytë u shënuan edhe tre gola. Kallaku dhe Boçi gjetën rrjetën për durrsakët, ndërsa Vora shënoi për herë të dytë. Në përfundim të takimit, tri pikët i mori Teuta, që për të dytën javë radhazi fiton me një gol diferencë.
Një javë më parë, durrsakët mundën Laçin 1-0 me golin e Martelos, i cili sot shënoi për të dytën ndeshje radhazi. Me gjashtë pikë nga dy takimet e fundit, Teuta e çon bilancin sezonal në 8 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje pas 13 ndeshjesh. (A2 Televizion)