Brukseli po monitoron me vëmendje Shqipërinë, sa i përket çështjes "Balluku". Nga forumi “Politico”, Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, teksa e cilësoi punën e SPAK të shkëlqyer, u shpreh se rëndësi nuk ka vetëm hetimi i çështjes por edhe reagimet që sjell ajo, shkruan A2CNN.
“Janë disa çështje, ju përmendët rastin e çështjes Balluku, të cilat ne po i monitorojmë me vëmendje. Siç e dini SPAK po bën një punë të shkëlqyer në Shqipëri dhe në fakt është normale që ata të hetojnë apo të gjejnë shkelje.
Një tjetër element për ne është edhe fakti se përpos çështjeve nën hetim, të rëndësishme janë dhe reagimet. Ne po monitorojmë edhe ato”, tha Kos. Sipas Kos, lufta kundër korrupsionit është e ndërlikuar pasi duhet të punohet edhe për ndryshimin e qasjes ndaj fenomenit dhe jo vetëm rregullimit të ligjit.
“Një tjetër element në luftën kundër korrupsionit, sidomos për vendet kandidate është se ti mund të kesh legjislacionin më të mirë por nëse korrupsioni është i pranuar në ato vende, atëherë të shfaqet një problem tjetër”, u shpreh Kos. (A2 Televizion)