Nga taksat te kontrabanda dhe rezervat, Berisha renditet 3 faktorët e rritjes së çmimit të naftës, akuza Ramës

Nga A2 CNN
24 Mars 2026, 13:14 | Politikë

Nga taksat te kontrabanda dhe rezervat, Berisha renditet 3 faktorët e

Ngarkesa fiskale, kontrabanda dhe depozitat e naftës janë tre faktorët kryesorë sipas kreut demokrat Sali Berisha për rritjen e çmimit të karburanteve në vend. Në një deklaratë për mediat,  Berisha ia faturoi përgjegjësinë qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

"Së pari, ngarkesa fiskale. Ngarkesa fiskale në vendin me varfërinë më të madhe në Evropë, me rrogat më të ulëta dhe fuqinë blerëse më të ulët, është më e larta në Evropë dhe ndoshta në botë. Ngarkesa fiskale mbi litrin e naftës në Shqipëri është mbi 60-65 përqind, ndërkohë që në vendet më të zhvilluara të planetit në mesatare kjo ngarkesë është 40-45 përqind. Ndërkohë të ardhurat mesatare në vendet e OECD janë 6 herë më të lartë se mesatarja e qytetarëve shqiptarë. Pra, është një gjobë e tmerrshme që rëndon mbi shqiptarët.

Së dyti, faktori i dytë madhor është kontrabanda e naftës. Asnjë litër nuk hyn në Shqipëri me bote. 350 mijë ton naftë kontrabandë hyn në Shqipëri në portet që kontrollon qeveria. 350 mijë ton naftë kontrabandë janë të barabarta me të ardhura aktuale 410 milionë euro. Që të gjitha shkojnë në familjen e kryekontrollorit të kontrabandës që quhet Edi Rama. Shitja e kësaj nafte kontrabande nëpërmjet kompanive tregon edhe njëherë bashkëpunimin e Edi Ramës në çmimet stratosferike. A mund të imagjinoni ju, çmimi më i lartë në Evropë, kontrabanda më e lartë. Pra, shkaku më madhor i këtij çmimi shkatërrimtar është Edi Rama dhe qeveria e tij.

Faktori i tretë janë rezervuarët e naftës apo depozitat e naftës, të cilat në kuptimin e rezervës shtetërore mund të jenë shtetërore, mund të jenë private, mund të jenë shtetërore dhe private. Vendimet e mëparshme të qeverisë i kanë shpallur ato private. Por, natyrisht magazinimi ka çmimin e tij, dhe atë çmim kompanitë private ia marrin konsumatorit, në një kohë kur atij çmimi duhet t’i përgjigjet qeveria sepse ajo rezervë mbahet për llogari të shtetit. Por Edi Rama preferon që ajo rezervë të mbahet duke tatuar edhe më rëndë naftën që u shitet qytetarëve”.

Berisha theksoi se çmimi i karburantit në Shqipëri mbetet ndër më të lartët në rajon, duke e krahasuar me vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ku sipas tij është deri në 60% më i ulët.

“Nafta në Shqipëri është shndërruar në një instrument të tiranisë ndaj shqiptarëve. Në një instrument të çmimeve stratosferike, të pakësimit të racionit ushqimor në tavolina, të çmimeve stratosferike, të largimit të tyre nga Shqipëria. Çmimi i naftës në vendin ku gjenden fushat më të mëdha në Europë naftëmbajtëse në tokë, siç është Patos-Marinza me 6 miliardë fuçi. Çmimi i naftës në vendin me një seri portesh për importin. Në Shqipëri ky çmim tejkalon me 60 përqind çmimin e naftës në Maqedoni dhe në Kosovë. Shkaqet e këtij çmimi të lartë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, lidhen me ngarkesën absurde, të pamëshirë fiskale mbi litrin e naftës që Edi Rama ka vendosur”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos