Gazetari Lavdrim Lita, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, u shpreh se sipas burimeve të tij gjatë zgjedhjeve kishte ndikim të drejtpërdrejtë të bandave në procesin zgjedhor.
Lita: Është e vërtetë që SPAK nuk ka shkëlqyer gjatë zgjedhjeve, këtë e them me bindje sepse edhe unë kisha pritshmëri. I kishim deklaruar se Partia Socialiste kishte për çdo qark një kandidat që ia kishte deleguar bandave, dhe ja kemi thënë edhe zotit Berisha, ai ka qenë më i qartë dhe ka përmendur edhe emrat. Mjafton që të markoheshin këta emra dhe rrjeti do të zbulohej, deri tek burgu i Fierit.
Ky burim kishte bërë katër vite burg dhe më ka thënë se çdo i burgosur në Fier gjatë zgjedhjeve kishte tre telefona. I burgosuri bënte telefonata pafundësisht dhe më tha me bindje të plotë se çdo ditë, gjatë 30 ditëve të fushatës, në burg qarkullonin deri në 500.000 euro. Imagjino çfarë ka ndodhur në burgjet e tjera.
Lita shtoi se një burim i tij ka takuar prokurorët e SPAK, të cilët i thanë se nuk do të merreshin me zgjedhjet, por vetëm me krimin e organizuar.
Lita: Do të them edhe një gjë që nuk e kam thënë kurrë dhe kërkoj ndjesë atij personi që ka takuar prokurorët e SPAK. Ai më tha se gjatë takimit, prokurorët i kishin thënë: ‘Lëre këtë çështje, ne nuk do merremi me zgjedhje, do merremi me krimin e organizuar dhe çështje të tjera.
Nëse ai më ka gënjyer, edhe unë po gënjej. Por nëse është e vërtetë dhe ata kanë thënë këtë, atëherë nuk mund të bënin asgjë për të ndaluar manipulimin gjatë zgjedhjeve. (A2 Televizion)