Gazetari Basir Çollaku, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se ministrat e qeverisë janë të kërcënuar dhe paralajmëroi se SPAK-u “do të kërkojë imunitete të tjera”.
“U bë ajo që u bë për Ballukun? Doli Ambasada Gjermane, Suedeze, Hollandeze, Britanike, Ambasada Amerikane kishte reaguar më herët. Pse reagojnë të gjithë këta? Se shohin pamjaftueshmërinë e qëndrimit të përfaqësuesit që ata kanë mandatuar. Ministri i Jashtëm gjerman ka qenë në Strukturën e Posaçme, ambasadori gjerman ka qenë në SPAK. Nuk shkon asnjë ambasador nëpër vendet e tjera në Gjermani, në Francë nëpër prokurori. I kanë ndarë gjërat ata dhe punojnë me ato institucione, por këtu shkojnë për t'i garantuar ligj votës, për ta hequr votën nga banditët dhe nga pushteti që janë bashkë. Sot ke ministra që janë të kërcënuar. Sot nuk qeveris kryeministri. Disa ministra janë kërcënuar, që janë nëpër grupe me bandat dhe i ke te përgjimet. Do dalin ata. Do ketë kërkesa nga SPAK-u për deputetë të tjerë për mandate”, tha Çollaku.
“Do ketë kërkesa të tjera për të tjera mandate, për të tjera imunitete, sepse në këtë mënyrë bëhet shkëputja. Pra, është një nga institucionet drejtësia që me gjithë zigzaket e saj duhet mbështetur që të bëjë atë punë që edhe ajo të jetë një nga pjesët që e çmonton këtë sistem”, shtoi gazetari.
Kur u pyet për kë bëhet fjalë, Çollaku u përgjigj: “Do e them edhe me emër gradualisht sepse disa gjëra nuk do konspirohen, por po them që deputetë dhe ministra janë të kërcënuar sepse janë nëpër grupe kriminale, janë nëpër dosje, nuk janë të lirë. Sot kryeministri nuk është i lirë, është i shantazhuar edhe nga zëvendësja e tij, edhe nga ata. Çfarë janë këta? Investitorë strategjikë, trafikantë droge me dosje kokaine". (A2 Televizion)