Gazetari Roland Qafoku, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se Gazment Bardhi “është arkitekti i gjithë projektit të dështuar të Lulzim Bashës dhe ky tani është në grupin e punës që përcakton edhe ndryshimet statutore” në Partinë Demokratike.
“Një lajm kishte sot, që Rithemelimi vdiq. Dhe lajmi i dytë i madh ishte që Gazment Bardhi sërish merr një ofiq. Që Berisha është i pazëvëndësueshëm ky është një gabim madhor i Partisë Demokratike, por që të jetë edhe Gazment Bardhi i pazëvendndësueshëm… Bardhi është arkitekti i gjithë projektit të dështuar të Lulzim Bashës dhe ky tani është në grupin e punës që përcakton edhe ndryshimet statutore. Domethënë, Gazment Bardhin sot përfundimisht mund ta krahasoj vetëm me Ramiz Alinë, që nga 1946 të gjitha grupet armiqësore u zbuluan, u dënuan, u futën në burg, u pushkatuan, që nga Koçi Xoxe, Todi Lubonja, Fadil Paçrami, deri te Mehmet Shehu e Kadri Hasbiu, Ramiz Alia mbijetoi. Dhe Gazment Bardhi mbijeton. Gazment Bardhi është Ramiz Alia i Partisë Demokratike”, tha Qafoku.
“Në Partinë Demokratike gradohet i pavotuari. Zoti Alimehmeti mund të ketë defekte në aspektin politik, nuk e dimë se ai nuk është vënë në provë, por është nga më të votuarit në Partinë Demokratike. Gazment Bardhi nuk është nga më të votuarit në Partinë Demokratike dhe për mendimin tim është një nga gabimet më të rënda që bën sot Partia Demokratike. Gazment Bardhi ka menaxhuar të gjitha proceset në kohën e Lulzim Bashës. Projekti politik më i dështuar i Partisë Demokratike”, shtoi gazetari.
(A2 Televizion)