Ballkani Perëndimor e sheh BE si zgjedhjen e vetme, por me shpresën që vetë Unioni do të sillet me ata me të njëjtën energji. Gjatë forumit Globsec në Pragë, përfaqësuesit e këtij rajoni nuk e fshehën lëndimin nga letra e Gjermanisë për të parakaluar Ukrainën në një korsi më të shpejtë integrimi. Bosnja ishte më e ashpër dhe Austria i erdhi në ndihmë, ndërsa përgjigjja e Shqipërisë më diplomatike.
Elmedin Konakoviq, Ministër i Jashtëm, Bosnja dhe Hercegovina: Pse Ukraina mund të bëhet një anëtar i BE dhe ne nuk mundemi në këtë moment. Mos na e thoni neve këtë që është për shkak të luftës, sepse ju e dini se çfarë ka ndodhur në Ballkan 30 vite më parë.
Alexander Schallenberg, ish Kancelar, ish ministër i Jashtëm, Austri: Më kujtohen fjalët e Edi Ramës kur pyeste: A doni që ne të kemi një luftë në Ballkanin Perëndimor që të marrim në fund vëmendjen tuaj? Përgjigjja duhet të jetë absolutisht, JO! Të mos qëndrojmë vetëm me Ukrainën, por të përfitojmë nga ky moment gjeostrategjik. Është mendësia e BE problem, jo një problem teknik.
Ferit Hoxha, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë: Fillimisht është e rëndësishme ta shohim mbështetjen e Gjermanisë për zgjerimin. Unë do të doja që të prisja që ajo letër me propozime të diskutohet në Këshillin Europian. Ne do të ndjekim metodologjinë që do të vendosë BE, sepse në fund të ditës çfarëdo që të bëjmë janë ata që vendosin për ne nëse do të anëtarësohemi apo jo. Nëse ata e ndryshojnë metodologjinë, ne do ta zbatojmë.
Shqipëria të martën do të ulet në tryezën e 8 ndërqeveritare me BE, për këtë arsye ministri i Jashtëm Hoxha tregoi edhe njëherë ambicien për integrimin e Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë mbrojti editorialin Rama-Vuçiç për integrim pa komisionerë dhe veto, ndërsa Bosnja e paralajmëroi Europën që nëse nuk reagon në kohë, të tjerë do ta bëjnë.
Sink Feriti: Ne duam t’i mbyllim negociatat në fund të vitit tjetër, dhe nga ai moment deri në 2030 kur ne duam të anëtarësohemi. Ne duam që të mos na lënë më pritje, ose duhet të na lënë një datë të saktë, por nuk mund të shtyhet në mënyrë të papërcaktuar.
Ana Brnabić, Kryetare e Kuvendit, Serbi: Ne nuk duam të hyjmë në BE për të bllokuar ndonjë tjetër. Integrimi në zonën Shengen i bën kufijtë e Europës më të fortë, integrimi në zonën ekonomike e bën më kompetitive. Integrimi gradual është një skenar “win win”.
Boshnjaku: Kjo është një rrugë me dy korsi, nëse ti nuk arrin ta kontrollosh këtë rajon, këtë zemër të Europës, Ballkani është zemra e Europës jo kopshti i saj, dikush tjetër do ta kontrollojë.
Austria është pro zgjerimit, nga Praga i kërkoi familjes në të cilën bën pjesë që të reformojë mendësinë se si funksionon.
Alexander Schallenberg, ish Kancelar, ish ministër i Jashtëm, Austri: Unë nuk kam frikë një BE me 34 apo 35 anëtarë sepse nuk është problem vetëm te numrat por edhe te mendësia. 95 % e vendimeve në BE merren me shumicë votash, janë vetëm disa raste që kërkojnë unanimitetin.
Gjithashtu ai kërkoi që t’u bëhet presion vendeve anëtare të BE që vendosin çështje bilaterale në procesin e integrimit. (A2 Televizion)