
Kryedemokrati Sali Berisha tha se 490 mijë pensionistë që marrin pension të pjesshëm, bëjnë një jetë në disa aspekte më të vështirë se në socializëm.
Gjatë tryezës së organizuar nga Departamenti i Ekonomisë në PD, Berisha vuri në dukje që në Shqipëri rritja e rrogave dhe e pensioneve nuk ka ndjekur rritjen e çmimeve, shkruan A2CNN.
“Trajtojmë problemin e pensioneve për mbi 1/3 e popullatës së vendit, e cila jeton në varfëri edhe po të jetë për pensionin që merr, në varfëri të skajshme. Mbase duhet të kemi parasysh një gjë, që rreth 490.000 pensionistë marrin pensione të pjesshme. Nuk marrin pensionin minimal të plotë, por marrin pension të pjesshëm. Çka do të thotë, thërrime. Dhe po të kemi parasysh çmimet e tregut, ata kanë një jetë shumë, shumë të vështirë. Kanë një jetë, në disa aspekte, më të vështirë se në socializëm. Ku, me aq sa merrnin, ato që ishin i blinin. Me ato çmime simbolike. Kurse sot çmimet nuk janë më simbolike. Çmimet janë krejtësisht të përcaktuara nga tregu. Dhe në Shqipëri, fenomeni, zhvillimi më negativ ka qenë ky, që rritja e rrogave dhe e pensioneve nuk ka ndjekur rritjen e çmimeve”, tha ai.
“Dhe, në Shqipëri, inflacioni, në tërësi, krahasuar me inflacionin selektiv, inflacionin, ta quajmë të shportës së mallrave më të domosdoshme, ushqimeve dhe mallrave më të domosdoshme për pensionistin. Ky inflacioni i dytë, në realitet, mund të jetë 10, 20 herë më i madh, më i lartë sesa inflacioni në tërësi. Pra, po të marrësh, kemi të bëjmë me, në, në qoftë se i përdorim, kemi të bëjmë me një cinizëm shifrash të pashembullt. Themi se inflacioni ishte 2%, inflacioni i ushqimeve atë muaj mund të ketë qenë 15%. Po me këto pak para që ka, ai ato, ai të gjitha i ka të përqendruara në atë shportë”, vijoi kryedemokrati.
Deklaratat e tij vijnë një ditë para protestës kombëtare që pritet të mbahet nesër para Kryeministrisë.
(A2 Televizion)