
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, deklaroi se ka kërkuar një interpelancë me kryeministrin Edi Rama në lidhje me dhënien e licencës për Jet Bank.
Sipas tij, “Jet Bank ka marrë miratimin paraprak në dhjetor të vitit 2025 dhe është licencuar përfundimisht në muajin mars të vitit 2026. I gjithë procesi nuk ka zgjatur më shumë se 7 muaj”.
“Javën e kaluar kam kërkuar zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin në lidhje me një shqetësim të ngritur nga unë që në janar të këtij viti, për dhënien e licencës për bankën e parë 100% dixhitale në Shqipëri. Jet Bank ka marrë miratimin paraprak në dhjetor të vitit 2025 dhe është licencuar përfundimisht në muajin mars të vitit 2026. I gjithë procesi nuk ka zgjatur më shumë se 7 muaj. Për këtë shqetësim kam nisur disa kërkesa në Bankën e Shqipërisë. Kjo e fundit për një pjesë më ka nisur informacion dhe për pjesën tjetër vijoj të jem ende në pritje. Sigurisht, si për çdo shqetësim tjetër të ngritur nga opozita, përgjigjja apo reagimi institucional jo vetëm që lë për të dëshiruar, por të gjithë e dinë në media se kërcet leku ku parësor nuk është aspak interesi publik, por pazari i radhës apo denigrimi i opozitës. Licencimi i një banke nuk është dhe nuk duhet të shihet si një proces formal apo thjesht burokratik, por dhe si një proces gjithëpërfshirës, pasi një vendimmarrje e tillë ka ndikim shumë më të gjerë jo vetëm në sigurinë e parave të shqiptarëve, por dhe në sistemin bankar në vend. Institucionet tona duhet të ushtrojnë vigjilencë të shtuar në një kohë kur Shqipëria ka hapur grup-kapitujt kryesorë në procesin e integrimit dhe aspiron t'i bashkohet familjes europiane, por ndërkohë jemi nën monitorimin e përditshëm të MONEYVAL”, tha Këlliçi, shkruan A2.
Më tej, Këlliçi shtroi edhe 7 pyetje.
“Aspekti më shqetësues, ku duhet të ishte dhe fokusi i qeverisë dhe institucioneve në varësi të saj, është pikërisht pastrimi i parave. Vitet e fundit kjo sallë ka lexuar dhe dëgjuar shumë raporte nga titullarë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe është pikërisht kjo strukturë e specializuar hetimore që ka ngritur alarmin për këtë fenomen. Pra, nuk flasim për një aludim apo akuzë të opozitës për qëllime politike, por për një fenomen që po gërryen dhe shkatërron ekonominë e vendit tonë. Sot Shqipëria është bërë bazë jo vetëm e parave të pista të grupeve kriminale të cilat marrin tendera dhe leje ndërtimi për t'i përdorur më pas si lavatriçe, por ajo është edhe baza e të ashtuquajturave “call center” me anë të të cilave mashtrohen qytetarët europianë me vlera qindra milionë euro. E gjitha kjo ndodh nën hundën apo e thënë troç e shkoqur, me bekimin e institucioneve të shtetit tonë, ku më kryesorët janë Agjencia e Inteligjencës Financiare, Policia e Shtetit dhe shërbimi informativ shtetëror. Për miratimin e një liçence bankare, banka qendrore për të çertifikuar reputacionin dhe pastërtinë e figurës së aksionarëve të bankës aplikuese, komunikon pikërisht me Agjencinë e Inteligjencës Financiare dhe Shërbimin Informativ Shtetëror. Të dyja këto institucione në varësi të Këshillit të Ministrave dhe të Kryeministrisë. Prandaj sot unë kisha kërkuar në interpelancë Edi Ramën dhe jo Erjona Ismailin. Unë e kuptoj që zonja Ismaili paska marrë përsipër detyrën e vështirë sot për të mbrojtur bankën e Edi Ramës. Pasi as ministri i Financave nuk ka si ta marrë përsipër këtë përgjegjësi. Zëvendëskryeministrja jo e jo. Po as ministrja e Ekonomisë, mbase edhe për arsye private, dihet që nuk mund ta marrë. Nëse kushdo në këtë sallë apo dhe qeveri do të bënte një kërkim të thjeshtë në internet se cilat janë problematikat e ngritura nga autoritetet mbikëqyrëse europiane për bankat dixhitale si N26, Revolut, Starling Bank etj., do të konstatonte se autoritetet monitoruese në Evropë si Banka Qendrore, Autoriteti Bankar Europian kanë ngritur disa shqetësime kyçe për bankat dighitale Neo Banks dhe sektorin financiar që po dixhitalizohet me shpejtësi për vitet 2025 dhe 2026. Këto shqetësime kryesore konsistojnë në disa pika, kryesisht në pastrimin e parave, sigurinë kibernetike, stabilitetin financiar dhe likuiditetin. Për të gjitha sa thashë më sipër, kam kërkuar këtë interpelancë duke i drejtuar pyetjet e mëposhtme kryeministrit.
1.A ka dijeni kryeministri Edi Rama për lidhjet e dokumentuara nga autoritetet rregullatore gjermane, britanike, spanjolle dhe estoneze të shtetasit Oliver Hemer, drejtor i shoqërisë Konsador LTD, aksioner me 71.52% i Jet Bank me skemën mashtruese 4XFX dhe rrjetin e Galbarakut, të dënuar në Austri për mashtrim me dëm financiar në vlerën mbi 200 milionë euro.
2.A mundet të garantojë kryeministri Edi Rama për qytetarët shqiptarë se depozitat e tyre në Jet Bank do të jenë të sigurta duke patur parasysh se Agjencia e Sigurimit të Depozitave mbulon vetëm shuma të kufizuara për depozituesit. Fondi i ASD-së financohet nga kontributet e të gjitha bankave të tjera në treg, duke e kthyer riskun e një banke të re në një risk që në rast dështimi do të përballohej nga fondi i krijuar prej kontributeve të sistemit bankar e do të kishte pasoja mbi besimin e qytetarëve në të gjithë sistemin financiar dhe asnjë prej aksionareve dhe anëtarëve të bordit të Jet Bank nuk ka eksperiencën e mëparshme në drejtim bankar, as nuk ka operuar kurrë në një bankë tregtare, në ndonjë vend tjetër të botës apo dhe në Shqipëri.
3.A ka kërkuar kryeministri, pa cenuar pavarësinë ligjore të Bankës së Shqipërisë, që Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, shërbimet përgjegjëse të sigurisë kombëtare dhe institucionet ligjbatuese të verifikojnë burimin e kapitalit, pronësinë përfituese, lidhjet e raportuara me platforma të paliçencuara financiare dhe çdo rrisk të mundshëm për pastrim parash që lidhet drejtpërdrejtë me licencimin dhe nisjen e aktivitetit të Jet Bank.
4.A ka kërkuar kryeministri Edi Rama verifikime të hollësishme nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare mbi aksionarët, pronarët përfitues dhe anëtarët e organeve drejtuese të Jet Bank, veçanërisht mbi shtetasit Oliver Hemer, Idan Avishai, Rami Solomon dhe Sanel Sanileviç, duke patur parasysh se lidhjet e disa prej tyre, sipas burimeve të hapura, i lidhen me struktura të dokumentuara nga autoritetet policore europiane si rrjete pastrimi parash, përbëjnë çështje me implikime të drejtpërdrejta këto në sigurinë kombëtare dhe stabilitetin financiar të vendit.
5.A mundet të konfirmojë apo mohojë kryeministri Edi Rama pretendimet publike se licencimi i Jet Bank është mbështetur nga persona me ndikim pranë qeverisë, sipas informacioneve të raportuara në media serioze në vend, dhe a është hetuar kjo çështje nga organet përkatëse të qeverisë.
6. A është kërkuar informacion nga autoritetet homologe, britanike, gjermane, estoneze, qipriote, hollandeze, izraelite dhe kroate për aksionarët, administratorët, pronarët përfitues dhe shoqëritë e përfshira në strukturën e Jet Bank përpara dhe pas dhënies së licencës përfundimtare. Nëse po, cilat institucione janë pyetur dhe cilat janë përgjigjet që janë marrë?
7.A janë vënë në dijeni partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane, Autoriteti i Bashkimit Europian kundër pastrimit të parave si dhe delegacioni i Bashkimit Europian Tiranë për licencimin e kësaj banke dhe strukturën e saj të pronësisë.
8.A ka marrë qeveria shqiptare masa për të parandaluar konfliktin e mundshëm të interesit që lind nga fakti se Jet Holding BV zotëron njëkohësisht Jet Bank, bankë e licencuar nga Banka e Shqipërisë dhe Jet Tek, shoqëri e regjistruar në Durana Tech Park me lehtësira fiskale, duke krijuar mundësinë e transferimit të fitimeve nga banka drejt një shoqërie të së njëjtit grup me regjim tatimor preferencial.
(A2 Televizion)