Gjergji Nika ka deklaruar se e shikon veten kandidat për kryebashkiak të Vlorës në vitin 2027.
“Unë e shikoj veten si një nga kandidatët në vitin 2027 për zgjedhjet në Bashkinë e Vlorës dhe këtë po ua them edhe publikisht. Por, kjo do jetë në dakordësi të të gjitha forcave politike sepse unë kam qenë edhe një prej atyre që kam qenë në garë në muajin nëntor, kam marrë një 10% të votave duke pasur parasysh një kohë shumë të shkurtër e cila ishte për garën. Unë e kam thënë dhe në tavolinë me frontin opozitar ditën e djeshme: ne duhet të nxjerrim kandidatin më të mirë. Kush është ai që maksimizon votën dhe kush është ai që bën maksimumin për të kthyer Bashkinë e Vlorës”, deklaroi Nika në një lidhje direkte me “A2 Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN.
Kur u pyet nëse udhëheqja e PD-së do ta miratojë kandidimin e tij pas kritikave që ka bërë së fundmi ndaj Sali Berishës, Nika u shpreh: “Unë patjetër që e kam kritikuar dhe do vazhdoj ta kritikoj në gjërat e gabuara. Unë kam 30 vite në Partinë Demokratike. Jam që fëmijë, që 18 vjeç, dhe fatmirësisht nuk kam asnjë orë punë në shtet. Gjithmonë kam bërë punën e vullnetarit. Gjithmonë kam qenë në Partinë Demokratike në pjesë të strukturave, gjithmonë me një ndjenjë të brendshme pa pasur përfitime. Mos të them që më shumë unë kritikat i kam bërë sepse i shikoj me të vërtetë duke qenë afër qytetarëve dhe afër njerëzve i shikoj që me të vërtetë nuk e meritojnë që të rrinë 13 apo 14 vite në pushtet”. (A2 Televizion)