Abuzimet te “AKSHI”, Gjykata e Lartë liron nga “arresti shtëpiak” Karcanajn

Nga A2 CNN
7 Maj 2026, 19:08 | Politikë

Pas gati 4 muajsh qëndrimi në “arrest shtëpie”, ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karcanaj, ka fituar lirinë. Gjykata e Lartë vendosi të enjten të pranojë rekursin e bërë nga ish-zyrtarja, duke ndryshuar masën e dhënë nga Apeli i Posaçëm në “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”.

Sipas Gjykatës së Lartë, ish-zyrtarja e akuzuar si pjesë e një skeme abuzimi përmes dhunës dhe korrupsionit me tenderët e institucionit që drejtonte, detyrohet të paraqitet në SPAK të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Në të njëjtin vendim, Gjykata e Lartë la të pandryshuar masën e “pezullimit nga detyra” dhe “ndalimit të daljes nga vendi” për zyrtarin e policisë Erion Ismailaj dhe biznesmenin Gëzim Hoxha.

Vendimi i Gjykatës së Lartë u dha pak ditë pasi Kolegjet e Bashkuara shpallën një vendim unifikues mbi praktikën e caktimit të masave të sigurisë dhe mënyrën e arsyetimit të tyre nga gjykatat.

Nga ana tjetër, dy javë më herët, me kërkesë të SPAK-ut, Gjykata e Posaçme sekuestroi 52 pasuri të tundshme dhe të patundshme të personave nën hetim për dosjen “AKSHI”, pjesa më e madhe e të cilave, nga trojet, apartamentet, automjetet luksoze e deri te një mjet lundrues jaht, i përkisnin biznesmenëve në kërkim Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Nga pasuritë e ngrira, katër prej tyre dyshohet se i përkisnin Karcanajt, ku bënte pjesë edhe një apartament në rrugën “Dervish Hima” në kryeqytet.

Pas masave të caktuara ndaj tetë personave për këtë çështje në dhjetor 2025, në shkurt 2026 SPAK mori nën hetim edhe gjashtë persona të tjerë. Të dyshuarit në dosje akuzohen për disa vepra penale, përfshirë “korrupsionin”, “konkurrencën e paligjshme përmes dhunës”, “heqjen e paligjshme të lirisë”, “shkeljen e barazisë në tendera” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos