
Protesta e 8 majit në Tiranë ishte një mesazh i madh revolte kundër qeverisë. Kështu u shpreh kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në foltoren e radhës para kryeministrisë, ndërsa falënderoi qytetarët në protestë, duke i cilësuar si elita e guximit të shqiptarëve, që nuk mund të pajtohen me regjimin.
“Një ditë shiu të pandërprerë, pas një terrori të gjithanshëm shtetëror, pas një terrori dhe censure mediatike të paparë. Dhjetëra e mijëra qytetarë u mblodhën për të shprehur revoltën e tyre ndaj një regjimi armiqësor, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. U mblodhën për të dëshmuar se ata janë shpresa e këtij vendi, se ata janë elita e guximit të shqiptarëve, se ata janë qytetarët më përgjegjësinë më të lartë para vetes, para familjes, para shoqërisë dhe vendit të tyre. U mblodhën për t’i përcjellë çdo shqiptari, por dhe çdo qytetari të lirë në Europë dhe në botë, se nuk pajtohemi kurrë me këtë regjim, i cili nuk asnjë orë legjimitet. Me këtë regjim, që i shndërron procesin më themelor të demokracisë, zgjedhjet në farsë zgjedhore”, tha Berisha.
Berisha akuzoi qeverinë se ka shndërruar zgjedhjet në farsë dhe se përdor drejtësinë për të goditur opozitën. Ai përmendi edhe arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta, duke e cilësuar si akt presioni ndaj kundërshtarëve politikë.
“Nuk pajtohen me këtë regjim, që për të grabitur zgjedhjet arreston në vitin elektoral, për të mbjellë terror, lidershipin e opozitës si persona nën hetim. Nuk pajtohen me një narkodiktator, i cili për të mbjellë terror në qytetarët e tij sjell në sallën e gjyqit, në kafaz xhami, duke shkelmuar Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke shkelmuar Kushtetutën e vendit, duke shkelmuar Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të Lirive dhe të të Drejtave të qytetarëve. Sjell në kafaz ish-presidentin, ish-kryeministrin, ish-kryetarin e parlamentit për t’u thënë shqiptarëve se, kur unë e fus në kafaz këtë, juve ju fus të gjallë në varr. Ky është morali, që ky bastard i xhelatëve, Koleka-Rama. Ndaj dhe, në mënyrë të përsëritur deklaroj se ky ka sjellë moralin kriminal të etërve të tij në moralin kriminal të pushtetit të tij”, tha ai.
(A2 Televizion)