Berisha, akuza për manipulim masiv të votës së diasporës: DHL dhe Posta Shqiptare bashkëpunuan me PS

Nga A2 CNN
21 Maj 2025, 13:16 | Politikë

Berisha, akuza për manipulim masiv të votës së

Kreu demokrat Sali Berisha ka hedhur akuza të forta lidhur me procesin e votimit të diasporës për zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar atë si faqja më e turpshme e farsës elektorale. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ai tha se vota e diasporës është manipuluar në mënyrë masive, të paskrupullt dhe të koordinuar nga qeveria dhe Partia Socialiste.

Sipas Berishës, kompania ndërkombëtare DHL, e cila ishte kontraktuar për transportin e zarfeve, ka shkelur kontratën duke përdorur nënkontraktorë të lidhur ngushtë me PS-në, pavarësisht se kontrata ndalonte qartësisht çdo nënkontraktim. Sipas tij segmenti shqiptar i DHL-së ka vepruar sipas urdhrave të Edi Ramës.

“DHL me urdhër të qeverisë ka shkelur kontratën dhe ka kontraktuar nënkontraktorë të tjerë, të cilët kanë bashkëpëunuar ngushtë me PS-në. Ndonëse kontrata parashikonte se asnjë lloj nënkontraktimi nuk mund të bëhej. DHL u pranua nga ne për shkak të reputacionit të saj, por segmenti shqiptar i DHL-së funksionoi krejtësisht sipas urdhrave, porosive të qeverisë dhe të Edi Ramës. Zarfet, votat, nuk u mbushën nga qytetarët e regjistruar, por ato në mijëra, mijëra, mijëra prej tyre u plotësuan nga patronazhistët, të dërguar nga Tirana, nga punonjës apo ish-punonjës të ambasadave dhe solli një manipulim të dalë jashtë kontrolli”, tha Berisha.

Berisha akuzoi gjithashtu Postën Shqiptare për përfshirje direkte në manipulim, duke pretenduar se në magazinat e saj janë ribërë zarfe me vota të falsifikuara nga patronazhistët. Ai solli shembuj konkretë nga qarqe të ndryshme si Tirana, Lezha, Dibra dhe Fieri, ku numri i zarfeve të numëruara rezulton më i lartë se ai i zarfeve të dërguara nga diaspora.

Në disa raste, PS ka marrë deri në 97 përqind të votave, një rezultat që Berisha e krahasoi me Korenë e Veriut.

“Kjo është një maskaradë zgjedhore që nuk do të njihet kurrë,” deklaroi ai, duke paralajmëruar se opozita do të ndjekë çdo rrugë për të denoncuar dhe dokumentuar këtë “krim elektoral”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos