"Shefave të PD tani iu mbush mendja", Dash Shehi flet për marrëveshjen me Lapajn e Berishën: Çfarë jemi ne, Kina?

Nga A2 CNN
23 Prill 2026, 10:09 | Politikë

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në opozitë sa i takon ligjit të ri zgjedhor, duke shprehur skepticizëm për dakordësinë reale mes palëve, por edhe shpresë për ndryshim.

I ftuar në Off The Record me Andrea Dangllin, Shehi tha se shpreson që diskutimet të shkojnë deri në fund dhe të prodhojnë ndryshimet e kërkuara prej vitesh.

Ai kritikoi ashpër formulën aktuale zgjedhore, duke e cilësuar si një ligj që ka favorizuar Partinë Socialiste dhe ka dëmtuar vetë opozitën.

Sipas tij, ligji ekzistues “ka dhunuar dhe rrënuar demokracinë”, duke lënë jashtë loje forcat e reja dhe alternativat politike.

I pyetur mbi pikat konkrete të dakordësisë, Shehi u shpreh se deri më tani nuk ka një marrëveshje të qartë, por iu referua deklaratave të fundit të Sali Berishës për një sistem proporcional kombëtar dhe hapjen e listave.

“Urojmë që të shkojë deri në fund kjo punë, të bëhet ai ndryshim që ne kemi vite që e kërkojmë. Por, me sa duket, këtyre shefave të PD-së tani u është mbushur mendja që kishin bërë një ligj në favor të Partisë Socialiste, për të mbajtur një grup aty përqark vetes dhe kundër opozitës. Një ligj që ishte jo kundër kundërshtarëve, një marri që i dhuronte të tjerëve me mijëra vota. Shpresoj që t'i ketë ardhur arsyeja, ta kuptojnë që me këtë ligj nuk shkohet më përpara”, tha Shehi në Off The Record me Andrea Dangllin.

Kur u pyet se për çfarë janë dakordësuar, Shehu u përgjigj: “Deri tani nuk jemi dakordësuar hiç, por dëgjova Berishën që thotë se “jemi për proporcional kombëtar, jemi për të hapur listat”, dhe uroj që të jetë kështu, mos të jetë taktikë 2-javore apo 1-mujore. Uroj të merren seriozisht për këtë punë, se ky ligji që është e ka dhunuar dhe e ka rrënuar demokracinë, atë pak sa kishim. I ka nxjerrë jashtë loje të gjithë forcat e reja, alternativat, idetë e reja. Plus, një proporcional kombëtar do të ishte shumë i favorshëm për Shqipërinë. Ne po bëhemi 2 milionë njerëz. Ç'kuptim ka Shqipëria të ndahet në 12 provinca. Pse, çfarë jemi ne, Kina? Një proporcional kombëtar edhe nga ana morale e bashkon Shqipërinë”.

“Ky është hapi i parë, i vogël, por korsia është e duhura. Pastaj, a do arrijnë Berisha dhe Edi Rama të kapërcejnë mbi veten, ta kuptojnë që i kanë bërë një dëm të madh demokracisë e lirisë me atë marrëveshje, që ka prodhuar këtë regjim. Koha tregoi që kjo formulë zgjedhore që kemi përdorur ishte e gabuar. U bë gati 15-16 vjet. Ky është rezultati. Pse ankohen?”, shtoi Shehi.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos