Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi se opozita do të zhvillojë një tjetër protestë kombëtare, më 10 shkurt, në orën 17:00.
“Edi Rama në vend të dorëheqjes së tij, shëtit si i vdekuri me të gjallin me Lubi Ballukun, për t’u thënë shqiptarëve, për të sfiduar qytetarët, për t’i ofenduar ata dhe më shumë se ofendim, se unë ju kam plaçkitur dhe do ju plaçkit dhe se mos mendoni kurrë se drejtësia apo ligji janë për Ramën apo Lubinë, por janë vetëm për ata që duan këta të dy. Ka qenë dhe është bindja ime më e prerë, se është vetëm sovrani, gjuha e tij, revolta dhe zemërimi i tij ata që do bindin këtë grusht hajdutësh, këtë organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama, të largohen një minutë e më parë nga pushteti dhe të hapin rrugën për qeveri teknike, zgjedhje të ndershme”, tha Berisha në konferencë për mediat, përcjell A2.
“Në Tiranë, dhe kudo në Europë dhe botë, 24 janari është i gjallë çdo ditë. Çka do të thotë, qytetarët shqiptarë, shqiptarët në diasporë dhe kudo, miqtë e shqiptarëve, presin protestën, revoltën dhe vetëm revoltën e qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe ftoj të gjithë të rinjtë shqiptarë, burrat, gratë, të moshuarit, të bashkohemi ne datën 10 shkurt në ora 5 në Tiranë për t’i dhënë leksionin e merituar kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën. Revolta dhe vetëm revolta është rruga e daljes, e përmbysjes së diktaturave autokratike, njëlloj si në vendet e tjera. Ndaj dhe ftoj dhe njëherë me datën 10 shkurt të gjithë shqiptarët, të gjithë qytetarët e Tiranës, në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit në protestën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria kundër regjimit të drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve”. (A2 Televizion)