Sali Berisha u shpreh i kënaqur me mitingun hapës të fushatës elektorale të opozitës. Tre ditë pas takimit në sheshin Nënë Tereza, lideri demokrat pohon se pjesëmarrja tregon rritjen e pëlqyeshmërisë.
Teksa mitingun e tij e quan edhe madhështor, ndryshe mendon për ceremoninë e çeljes së fushatës së Partisë Socialiste, shkruan A2 CNN.
“Ju e patë, një kontrast i papërshkrueshëm, një kontrast të atillë, Tirana nuk e ka njohur as në vitin 1992, midis hapjes së PD dhe asaj ceremonie qesharako-parodike në sheshin Skënderbej të Edi Ramës”, tha Berisha.
Nga konferenca për mediat, Berisha sulmoi me emër dhe mbiemër Suel Çelën, i cili sipas tij është vënë nën urdhrat e Ramës dhe po punon për të nxjerr deputete Sara Milen, e cila garon në listë të hapur me Partinë Socialiste në Elbasan. “Suel Çela ditë e natë po zbaton porosinë e Edi Ramës për të zgjedhur deputete një Sara Mile dhe Edi Rama i thotë Suelit, se kontributi yt do të matet me votat që merr Sara. Dhe ai rri tani terrorizon njerëz; më shpëtoni mua, votoni për Sarën”, tha Berisha.
Gazetarët e pyetën mbi njoftimin e Policisë për arrestimin një 38-vjeçari në Fier që dyshohet se po blinte vota për Partinë Demokratike. “Po të garantoj mijë për mijë, kjo është si rasti i Belerit, këto janë simulime sepse është e tëra e organizuar nga Vlora Hysenaj dhe Ardi Veliu, dhe të garantoj se sapo të mësoj emrin e personit që ka marrë pjesë, përjashtohet në mënyrë përfundimtare nga PD”.
Më herët gjatë ditës, lideri i opozitës zhvilloi një takim me shoqatat e personave me aftësi speciale, ku premtoi pagesa për ta duke nisur që nga minimimi jetik dhe se shteti do përballojë shpenzimet e tyre për t’u lehtësuar sadopak jetën. (A2 Televizion)