Qytetarët e Elbasanit duken të paqartë dhe me shumë qëndrime në nisje të fushatës elektorale në lidhje me kandidatët që i janë afruar për t’i përfaqësuar në Parlamentin shqiptar. Nga indiferenca dhe mosnjohja e kandidatëve deri tek të kënaqurit dhe të pakënaqurit, janë opinionet e qytetarëve të shprehura për A2 CNN.
Tashmë që forcat politike së bashku me kandidatët e tyre janë zyrtarisht në fushatë elektorale, edhe pse takimet dhe prezantimet janë bërë më herët, qytetarët e Elbasanit duket se janë më shumë se të dyzuar sa i takon kandidatëve që po u kërkojnë votat.
Një pjesë janë indiferentë, të tjerë nuk i njohin fare kandidatët, disa janë të kënaqur me ato që i kanë përfaqësuar më parë, ndërsa disa të tjerë duan të mbështesin të rinjtë.
Qarku i Elbasanit është qarku i tretë, pas Tiranës dhe Fierit, për numrin më të lartë të deputetëve që dalin në parlamentin shqiptar, me 14 të tillë. (A2 Televizion)