Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, tha se sot për sot, Sali Berisha nuk ka asnjë rival për drejtimin e partisë, pavarësisht se shumë aty brenda mund të kenë dëshirë.
“Për referendumin e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Berisha, ka pasur një konsensus të përgjithshëm të demokratëve. Dhe kur flas demokratëve, flas demokratëve që vërtetë punojnë për Partinë Demokratike, janë te Partia Demokratike dhe këtë e pamë edhe në procesin zgjedhor, edhe në pjesëmarrjen, edhe në qetësinë që kaloi referendumi”, tha Baçi në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN.
“Të gjithë e kemi thënë që zoti Sali Berisha është i pakonkurrueshëm sot për sot te Partia Demokratike dhe nuk kemi pse i fryjmë më. Me sa pamë ne, nga drejtuesit që janë brenda Partisë Demokratike, eksponentë të Partisë Demokratike, nuk kishte ndonjëri ambicie pavarësisht se të gjithë ndoshta kanë dëshirë”.
Baçi shtoi se tani PD duhet të vijojë procesin e ripërtëritjes së Këshillit Kombëtar dhe të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme lokale, që zhvillohen vitin e ardhshëm. Sipas tij, PD i ka të gjitha mundësitë që të rifitojë Bashkinë e Tiranës.
“Për mua nuk është e vështirë fare. Madje është mjaftueshëm e lehtë, sidomos në situatat aktuale që gjendet bashkia, në situatat aktuale që gjendet Partia Socialiste, me kryetarin e bashkisë në burg, të arrestuar për korrupsion. Kjo na favorizon”, tha Baçi.
Sipas tij, PD duhet të caktojë dhe bëjë publikë emrat e kandidatëve në zgjedhjet lokale sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo t’i zbulojë para nisjes së fushatës. (A2 Televizion)