Projekti “Pas Shkolle”, Kumbaro: U prit mirë nga prindërit dhe mësuesit, do ta çojmë përpara

Nga A2 CNN
29 Maj 2026, 13:08 | Politikë

Projekti “Pas Shkolle”, Kumbaro: U prit mirë nga prindërit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, gjatë konferencës me gazetarët u ndal edhe tek programi 'Pas Shkolle', i cili ka nisur pilotimin në 47 shkolla, 45 në Tiranë dhe 2 në Kamëz. “Kjo fazë erdhi pasi për herë të parë me ndryshimin që bëmë në ligjin për arsimin parauniversitar, kemi përfshirë edhe nocionin 'Pas Shkolle', duke siguruar një bazë të mirë ligjore për ta çuar përpara këtë program; Po ashtu, me VKM që përgatitëm, dyfishuam edhe pagesën për orë të çdo mësuesi që angazhohet në këtë program, duke ofruar një shpërblim më dinjitoz; Nuk do të bëhet sot për nesër, por po ndërtojmë hap pas hapi themelet ku do të ngrihet në mënyrë solide ky program”, theksoi Ministrja Kumbaro.

Kumbaro bëri me dije se programi është pritur shumë mirë nga prindërit dhe shkollat, ndërsa Ministria e Arsimit po punon intensivisht për ndërtimin e bazës ligjore dhe infrastrukturore të tij.

“E di që është pritur shumë mirë nga prindërit, po ashtu nga shkollat, por kam marrë shumë pyetje në lidhje me ushqimin në shkolla që dua t’u përgjigjem. Përpara se të nisim infrastrukturën fizike, po ndërtojmë me kujdes gjithë infrastrukturën ligjore dhe kjo ka qenë puna që ekipi i Ministrisë së Arsimit ka bërë me intensitet në këta 6-7 muajt e fundit. Kemi shfrytëzuar këtë periudhë të përfundimit të vitit shkollor, për të pilotuar programin pas shkolle, që po e studiojmë imtësisht ditë pas dite. Dhe dua të ndaj disa të dhëna dhe shifra shumë interesante: Në 'Pas shkolle' për klasat 1-5, përfshihet programi “Bëjmë detyrat e shtëpisë” dhe klubet “Art dhe Zeje” që janë 5 të tilla: Klubi i muzikës; Klubi i teatrit; Klubi i artit pamor; Klubi i kërcimit; Klubi i zejeve. Në Tiranë, në 45 shkolla që po pilotohet programi, kemi 308 mësues të angazhuar dhe rreth 4500 nxënës. Në Kamëz, në 2 shkolla, kemi 17 mësues të përfshirë dhe 240 nxënës. E gjitha kjo me një ekspertizë dhe mbështetje edhe nga partneret tanë UNICEF, Save the Children”, tha Kumbaro.

Ministrja foli edhe për suksesin dhe shtrirjen e gjerë që mori këtë vit programi “Art dhe Zeje” në të gjithë shkollat e vendit. “Kjo fazë pilotimi e programit pas shkolle, nuk ka penguar programet e tjera që të vijojnë, siç është programi 'Art dhe Zeje' dhe programi 'Bëjmë Detyrat e Shtëpisë', i shtrirë në mbi 400 shkolla në gjithë vendin, në klube që përfshijnë: Bujqësinë, sportin, pikturën, muzikën, korin, teatrin, zeje, arte tradicionale dhe teknologjinë e informacionit”, tha Kumbaro.

Kumbaro vlerësoi gjithashtu suksesin e programeve artistike dhe kulturore që po zhvillohen në shkolla.

“Dhe po ashtu jam shumë e lumtur që vijojnë me shumë sukses 2 programe shumë të dashura për mua edhe në nivel personal sepse kam qenë kontribuuese në konceptimin e tyre në detyrën paraardhëse në Ministrinë e Kulturës në bashkëpunim atëherë me Ministrinë e Arsimit siç janë Konkursi i Teatrove në Tiranë, që ka përfshirë 9 gjimnaze, dhe projekti 'Eja këndo me ne', plot 64 shkolla me mbi 2 mijë nxënës të angazhuar, në bashkëpunim me Teatrin e Operas dhe Baletit”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro theksoi se programet “Pas Shkolle” synojnë zhvillimin multidimensional të fëmijëve dhe zhvillimin e pasioneve të tyre. “Dua ta theksoj: Programi 'Pas shkolle' për ne është shumë i rëndësishëm për ofrimin e gjithë mundësive të zhvillimit ndërdisiplinor të fëmijëve; jo vetëm një vend ku prindërit mund t’i lënë fëmijët 2 orë apo 4 orë më shumë, me gjithë mirëkuptimin ndaj nevojave reale që kanë familjet pasi prindërit janë në punë dhe kanë angazhime profesionale, por programi 'Pas Shkolle', në vizionin e Ministrisë së Arsimit siç po e ndërtojmë, lidhet me zhvillimin multidimensional të fëmijëve, ofrimin e mundësive për të çuar përpara pasionet e tyre”, tha Kumbaro.

Ministrja bëri të ditur se një tjetër program pas shkolle është në fokus për zgjerimin e aktiviteteve dhe disiplinave sportive në shkolla. “Në edicionin e katërt të Ekipeve Sportive që Ministria e Arsimit e organizon bashkë me Komitetin Olimpik Shqiptar, ka arritur në mbi 10 mijë nxënës pjesëmarrës në volejboll dhe basketboll, në 274 shkolla, në 12 qarqe. Ndërsa për herë të parë kemi bërë pjesë shahun, me pjesëmarrjen e 670 fëmijëve. Për vitin tjetër do të synojmë ta shtojmë sërish gamën e sporteve me ping-pongun, ku shpërndarja e bazës materiale ka nisur tanimë në disa shkolla”, tha Kumbaro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos