Kryetari i PD, Sali Berisha, tha se opozita sot është më pranë se kurrë fitores kundër qeverisë Rama. “Sot ne jemi në kilometrin e fundit. Me ndihmën e Zotit asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores. Sot jemi para triumfit të madh”, tha Berisha në fjalën e tij para protestuesve, përcjell A2 CNN.
“Sot jemi më të vendosur se kurrë në kërkesën tonë. Sot jemi mbledhur masivisht në këtë protestë madhështore”.
Berisha tha se opozita e viteve të fundit ka qenë maratonë jo e lehtë. “Thuaj një kalvar maratonë e mbushur me dhunën e narkoshtetit, presione dhe izolime oruelliane ndaj nesh, por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne. Ishin vitet e një përballje të egër me regjimin e narko-diktatorit Ramaduro, biri i një xhelati që firmoste varjen e kundërshtarëve politikë dhe që përdori të gjitha mënyrat për realizimin e projektit të tij, Shqipëria pa opozitë”, shtoi ai.
“Ai bëri gjithçka, përdori burgjet, manipulimet, lobimet e korruptuara, por ja ku jemi sot, më të fortë se kurrë. Në udhëtimin tonë, që në kilometrat e parë, ne u dëshmuan shqiptarëve dhe botës, se projekti i Shqipërisë pa opozitë apo kallp opozitë, ishte turpi i tyre, ishte turpi i historisë, që ne kurrë nuk do ta pranonim kurrë, të gatshëm për çdo çmim. Në këtë udhëtim ne u ngritëm si Feniksi nga hiri dhe nga izolimi më i thellë arritëm në kilometrin e fundit si forca politike më e mbështetur nga shqiptarët dhe partitë simotra në mbarë botën. Arritëm në kilometrin e fundit pasi plagosëm për vdekje bishën narkodiktaturë dhe u dëshmuam shpresa e vetme e shqiptarëve”. (A2 Televizion)