Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi hapi serinë e fjalimeve në protestën e opozitës këtë të shtunë, duke thënë se të gjithë ata njerëz ishin mbledhur aty sepse janë thirrur dashuria e familjes, adhurimi për Zotin dhe Kombin.
“Ne jemi thirrur këtu nga guximi dhe detyra jonë për të luftuar dhe për të arritur deri në fund qëllimin tonë. Nuk mund të drejtohemi nga një njeri që e ka kthyer shtetin në pronë private që drejtohet nga bandat dhe krimi i organizuar. Kjo nuk është Kryeministria e shtetit, kjo është kuplaraja e pushtetit. Duhet ta shembim këtë pushtet. Aty nuk është vendi i qeverisë, por i hajnisë”, u shpreh Boçi, përcjell A2 CNN.
Boçi rreshtoi aferat për të cilat opozita akuzon qeverinë, si inceneratorët, koncesionet në shëndetësi. “Pak për neglizhencën tonë, pak nga verbëria e ndërkombëtarëve, më së shumti nga vjedhja e zgjedhjeve, e ktheu Republikën e Shqipërisë në Republikën e korrupsionit. Ka 13 vite që ka marrë peng rininë e këtij vendi, fermerët, bizneset, pensionistët, mjekët, arsimtarët, qytetarët. Kur përmendet emri i këtij njeriu, edhe alfabeti ynë i shenjtë bëhet pis, me këtë emër. Po! Ka një shpresë, një alternativë. Ne duam një Shqipëri ku pushteti e ka frikë qytetarin dhe jo qytetari pushtetin. Duam një Shqipëri ku qeveria shërben dhe jo sundon. Duam një Shqipëri të drejtë!”. (A2 Televizion)