Para protestës së opozitës, deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, deklaroi në A2 CNN se mesazhi kryesor i kësaj proteste është i drejtuar komunitetit ndërkombëtar, pa përjashtuar qytetarët shqiptarë. Sipas tij, shqiptarët janë tashmë të ndërgjegjshëm për realitetin në të cilin jetojnë, një regjim që, sipas opozitës, ka lindur nga farsat elektorale, vjedhja e votës dhe kapja e shtetit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.
“Ne sot kemi vendosur që të gjithë mesazhet t’ia transmetojmë komunitetit ndërkombëtar, që Shqipëria është një narkodemokraci, është një narkoshtet, është një qeveri që ka buruar nga një farsë elektorale, nga vjedhja e votave dhe në të njëjtën kohë është dhe një qeveri e kapur në vjedhje të taksave dhe të parave të taksapaguesve shqiptarë”, tha Xhaferri. “Kemi një feedback shumë pozitiv se vetëm katër muajt e fundit janë 18 deklarata të ambasadës amerikane ku zyrtarisht Shqipërinë e ka dizinjuar një narkoshtet ku objektivi i saj kryesor është lufta me kartelet e drogës dhe me pastrimin e parasë së drogës. Shqipëria sot është një narkoshtet që vetëm pastron parat e drogës. SHBA e di që Shqipëria sot nuk është më ajo partnere strategjike që i jepte siguri rajonit, por është një partner që destabilizon rajonin dhe patjetër që për ne kjo është më e rëndësishme”, tha Xhaferri, përcjell A2 CNN.
Duke komentuar ftesën e kryeministrit Edi Rama nga SHBA dhe votimin e saj edhe nga PD, Xhaferri sqaroi se opozita nuk është kundër marrëdhënieve Shqipëri–SHBA. Sipas tij, ftesat individuale nuk e ndryshojnë faktin se Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme për situatën reale në Shqipëri dhe për rrezikun që ajo paraqet për stabilitetin rajonal. (A2 Televizion)