
Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se kompania shtetërore KAYO po ble mallra me 5-fishin e çmimeve, dhe sipas tij ajo do t’i shërbejë Ramës “për të shtuar vjedhjet”. Kreu i selisë blu e krahasoi KAYO-n me AKSHI-n, që është nën hetim nga SPAK në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, shkruan A2CNN.
“Do krijojë KAYO-n e dytë, do krijojë kompanitë të gjitha personale për të vjedhur. Është bërë i çmendur, i papërmbajtur në vjedhjen e pasurive dhe pronave publike.
Tani, siç kishte AKSHI-n, që u zbulua dhe u damkos, ka krijuar kompaninë e prokurimeve ushtarake dhe prodhimeve ushtarake, e cila sa për dijeni, me të dhënat e para, po blen mallra me pesëfishin e çmimeve të zakonshme të tregut, dhe kjo vetëm e vetëm për llogari të miliarderit Edi Rama. Apo për të krijuar zhurmë siç bëri me Diellën, që po luftojmë korrupsionin, ndërkohë që korrupsioni u rrokullis 11 vende më vonë”, tha Berisha. (A2 Televizion)