
Kryedmokrati Sali Berisha tha sot se opozita është në rrugën e duhur të aksionit të saj, duke theksuar se do të vijohet me protestat paqësore. Sipas kreut të selisë blu “Rama është i plagosur politikisht”, dhe nuk do ta marrë më veten, shkruan A2CNN.
“Tani, kjo është protestë paqësore. Në qoftë se ne, ndryshojmë këtë protestë nga paqësore në një formë tjetër, të garantoj se ajo masë njerëzish nuk mund të përballohet nga asnjë polici. Është e faktuar ajo. Në qoftë se ne do t’u bënim thirrje atyre, që në protesta të vini me çdo mjet, nuk ka polici që përballon dot një protestë qoftë dhe 4-5 mijë qytetarësh. Jo, është e njohur kjo. Por ne kemi qenë, jemi dhe do jemi për protestë paqësore. Shiko, e teta ishte kjo, asnjë polic të dëmtuar, asnjë polic të plagosur. Ka një numër të konsiderueshëm protestuesish të dëmtuar dhe deputetësh të goditur dhe dëmtuar. Por ky është përcaktimi ynë. Ne besojmë në këtë platformë. Edhe njëherë, ata sillen si kafshë aty. Se ç’po bënin ata? Ju keni qenë aty”, tha Berisha.
“Ne do vazhdojmë dhe jemi në rrugën e duhur. U siguroj që Edi Rama është i plagosur politikisht për vdekjen. Nuk e merr më veten. Natyrisht ne do vazhdojmë me protestë paqësore”, vijoi kreu i PD-së në deklaratën për media. (A2 Televizion)