Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi drejtuesit e policisë që kanë sulmuar zyrtarët më të lartë të PD gjatë protestës. “Luçiano Boçi është në spital me djegie. Gazetari Aulon Kalaja, i goditur personalisht, dhe hakmarrje për qëndrimet e tij ndaj regjimit”, tha Berisha nga selia e PD, në fjalën përmbyllëse, përcjell A2 CNN. “Drejtues dhe zyrtarë të PD janë të plagosur”.
Ai akuzoi zv.drejtorin e Policisë, Sokol Bizhga, se ka përdorur kundër protestuesve granatat e zhurmës që, sipas tij, kanë plagosur disa prej tyre. “Kanë hedhur shishe molotov dhe kanë plagosur edhe protestues, edhe policë. Sepse iu duheshin si dëshmitarë të gjoja akteve të protestuesve. Dënoj me forcën më të madhe dhe ju siguroj që forcë në botë që të mposhtë kryengritjen tonë paqësore nuk ka”, tha Berisha.
I pyetur se kur do të jetë protesta e radhës, Berisha u përgjigj: “Do të caktohet shumë shpejt, nuk tërhiqemi. Të gjitha format e protestave do të përdoren. Kjo është kryengritja paqësore që ka për mision përmbysjen e narkoregjimit të Edi Ramës”.
(A2 Televizion)