
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij në mbyllje të protestës së opozitës në Tiranë, në një deklaratë për mediat para selisë blu.
Berisha falënderoi protestuesit për pjesëmarrjen dhe qëndresën, ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Një përshëndetje, një mirënjohje të pakufishme. Me qëndresën tuaj nderuat më shumë se kurrë këtë datë, përmbysjen e diktaturës komuniste 34 vite më parë, por i dhatë goditjen e merituar diktaturës së sotme. Ju garantoj se tjetra do jetë më e shkëlqyer. Për Edi Ramën nuk do ketë më vrimë miu ku do futet. Kryengritja paqësore e shqiptarëve do t’i japë ndëshkimin që meriton”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së foli edhe për incidentin gjatë protestës, ku u shpreh se ishte prekur nga gazi lotsjellës i përdorur nga policia.
“Ajo që bëri Edi Rama ishte një akt i shëmtuar, por ajo vetëm sa rrit vendosmërinë e kryengritësve paqësorë për ta hedhur sa më shpejt në lanë atë dhe regjimin e tij. Në këtë betejë ne nuk kemi të ndalur. Sot ne fituam një betejë, ne zhvilluam betejën më të bukur në gjithë ekzistencën tonë. Nuk ka paqe me Edi Ramën," tha Berisha. (A2 Televizion)