
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të rënda ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, ku deklaroi se Ergys Agasi po kërcënon prokurorët dhe se vrasja e ndodhur në aeroport ishte e organizuar prej tij.
I pyetur nga gazetarët për qëndrimin e PD-së lidhur me pjesëmarrjen në komisionet e posaçme parlamentare, Berisha theksoi se sot çdo veprim politik është i paralizuar për shkak të asaj që ai e cilësoi si “grusht shteti” në mbrojtje të zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe kryeministrit Rama.
“Sot çdo qytetar shqiptar ka vetëm një rend dite: Lubi Balluku dhe pas saj Edi Rama para gjyqit. Ka një çështje në rendin e ditës të çdo shqiptari dhe kjo është grushti i shtetit kundër shtetit, i kryer nga Edi Rama për të mbrojtur veten e tij nga vjedhjet e tmerrshme,” deklaroi Berisha.
Ai akuzoi drejtpërdrejt Ergys Agasin se qëndron pas kërcënimeve ndaj prokurorëve dhe pas një vrasjeje të rëndë në aeroport, duke e cilësuar këtë zonë si “sheshi më i mbrojtur i vendit”.
“A e dini ju se Agasi është organizatori i kërcënimit të prokurorëve? Aeroporti është sheshi i pushtetit, është sheshi më i mbrojtur i vendit. Aty mund të ekzekutojë vetëm policia. Askush tjetër nuk çmendet të marrë guximin të kryejë atë vrasje. Ajo ishte vrasje e organizuar nga Ergys Agasi,” u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së shtoi se kërcënimet ndaj prokurorëve janë një mekanizëm presioni që, sipas tij, përdoret nga kryeministri Rama përmes njerëzve të afërt.
“Mekanizmi i kërcënimit me jetë është mekanizmi që përdor Edi Rama nëpërmjet Ergys Agasit,” theksoi ai.
Berisha kritikoi gjithashtu shumicën për, sipas tij, përpjekjet për të zhvendosur vëmendjen nga akuzat ndaj qeverisë drejt debateve mbi komisionet parlamentare.
“Edi Rama bën gjithçka për të spostuar diskursin nga Lubia dhe vetja e tij tek komisionet, por me këtë nuk do realizojë dot asgjë,” përfundoi Berisha. (A2 Televizion)